Diplomatët e huaj kritikojnë deklaratat e Menduh Thaçit
Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker, në një intervistë për televizionin “Alsat” i ka bërë thirrje Thaçit të kthehet në Kuvend dhe të respektojë institucionet demokratike, dhe jo të japë deklarata lufte në shekullin XXI.“Dialogu politik është shumë i rëndësishëm, por këto lloj qëndrimesh, deklaratat kërcënuese, ky fjalor që shpreh dhunë, është absolutisht i pa pranueshëm dhe jo gjithçka që duhet të dëgjojmë nga ndokush që dëshiron të luajë rol në Maqedoni ose për ardhmërinë e saj. Është shumë zhgënjyese të dëgjosh atë lloj deklarate. Siç kam thënë më herët, besoj se Thaçi duhet të jetë në Kuvend, për ku edhe është zgjedhur të jetë, kjo është ajo për të cilën votuesit e kanë votuar atë që të jetë në Kuvend, t’i shfrytëzojë institucionet demokratike të Maqedonisë, institucionet që ne, faktori ndërkombëtar dhe qytetarët i mbështesim”, deklaroi Filip Riker, Ambasador i SHBA-së në Maqedoni.Edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere tha se deklaratat e liderit të PDSH-së janë të papranueshme.“Kjo është mënyrë e papranueshme e retorikës nga ana e një lideri të partisë politike. Edhe një herë apeloj deri tek lideri i PDSH-së, të kthehet në Kuvend, ku e kanë zgjedhur qytetarët dhe atje t’i përfaqësojë interesat e tyre”, u shpreh Ervan Fuere, ambasador i BE-së në Maqedoni.Thaçi, në një intervistë për televizionin “Kanal 5”, deklaroi se në Maqedoni do të ketë luftë nëse Qeveria vazhdon me politikën e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve, dhe se pas fillimit të saj do të bien kufijtë me Kosovën dhe Shqipërinë.