Ramiz Alia: Në Malin me Gropa, ka gropa dhe jo kufoma
Një muaj pas hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptarëve dhe gati një vit pas rënies së Murit të Berlinit, diktatori i fundit i komunizmit në Shqipëri, Ramiz Alia vendosi të thërrasë në datën 12 gusht 1990 një takim me intelektualët kryesorë të kohës, për të biseduar jo vetëm mbi gjendjen e krijuar në vend, por edhe për ndryshimet që po ndodhnin në vendet e Lindjes pas 9 nëntorit 1989. Në cilësinë e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Alia bisedoi përreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve: Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha, Fatos Nano etj. Teksa fokusi i bisedës ishte përqendruar tek domosdoshmëria e garantimit të lirisë së informimit, si një e drejtë themelore për njeriun, skulptori i njohur, Mumtaz Dhrami, me një kurajë qytetarë që vlen të përshëndetet për atë kohë, i kërkoi publikisht diktatorit Alia të jepte sqarime për çështjen e të pushkatuarve nga regjimi komunist, për të cilët nuk dihej dhe nuk dihet as sot vendndodhja e saktë se ku prehen. Konkretisht, Dhrami e pyeti Alinë lidhur me një thashethemnajë, sipas së cilës: “Thuhet në Tiranë sikur në Malin me Gropa janë varrosur 40 veta, sikur morgu i Tiranës ruhet me policë”. Por nga ana tjetër, përgjigjja e diktatorit të fundit të komunizmit ka qenë se “në Malin me Gropa ka vetëm gropa”, duke pretenduar mandej se këto fjalë i hapte “armiku”. Në fakt, Alia nuk bënte gjë tjetër, veçse mashtronte publikisht në tentativë për të mbuluar krimet famëkeqe të regjimit. Vetëm pak ditë më parë, në një varrezë masive në Malin e Dajtit u zbuluan eshtrat e 19 personave të ekzekutuar me një plumb në kokë, çka e riktheu në vëmendje debatin e 20 gushtit 1990, por mbi të gjitha domosdoshmërinë e dënimeve të krimeve të komunizmit. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plotë replikat mes Dhramit, Alisë dhe intelektualëve të tjerë lidhur me këtë çështje, e cila vijon të mbetet e pazbardhur edhe sot, gati 20 vjet pas atij takimi në Pallatin e Kongreseve. ..... Mumtaz Dhrami: Një moment më duket mua që ka shumë rëndësi, është puna e informacionit që duhet të kenë njerëzit. Kjo, po të flas me fjalën e Ismailit (Kadaresë), thashethemnaja që përhapet dhe që vazhdon të përhapet, është nga mungesa e informacionit. Për shembull, çfarë qarkullon? Thuhet në Tiranë, sikur në Malin me Gropa janë varrosur 40 veta, sikur morgu i Tiranës ruhet me policë. Qarkullon gjithandej një muhabet i tillë, më kupton, dhe njëri e hedh e një tjetër e shtyn, shtohet e shtohet dhe bëhet një gjë fare e pasaktë, e manipuluar dhe qarkullon nga një moment në momentin tjetër. Për shembull, në një situatë të tillë ngjarjet e Kavajës në disa vende u manipuluan dhe u thanë sikur ishin muhabete sporti, që njerëzit e dinin dhe krijonin ilaritet në sallë. Ngaqë njëri thotë ndryshe dhe një kuadro flet atje në një vend tjetër dhe e manipulon ndryshe, si të jetë atmosfera. Mendoj që në këtë drejtim, forma të gjendet që ata që janë në krye të punës, të kenë një informacion të saktë. Ramiz Alia: Po si të bëhet për shembull që në Malin me Gropa ka vetëm gropa, që të shpjegohet kjo? Si të bëhet kjo? Se armiku, ai nuk është njeri i ndershëm që e thotë këtë, se ka kufoma. Ai krijon gjëra të tilla. Nesër ai mund të na thotë që në Pallatin e Kongreseve shoku Ramiz u zu me ata shokët me grusht, më kupton? Si ka mundësi, si duhet korrigjuar, t’i themi gazetës që të botojë se në Malin me Gropa nuk ka gropa, po ka varre. Si e mendon? (Një sugjerim nga salla që nuk dëgjohet) Ramiz Alia: Domethënë, të krijojmë neve një organizëm, i cili të ketë për detyrë të mbledhë parulla dhe të bëjë kundërparulla. Ta diskutojmë kështu xhanëm. A duhet kështu? Mos të vihemi kështu në një situatë pasive. Një bashkëbisedues: është shumë e rrezikshme. Ramiz Alia: është shumë e rrezikshme, përderisa thotë ai që në Malin me Gropa ka kufoma dhe njerëzit i hanë, kupton?! Një bashkëbisedues tjetër: Kjo ndodh sepse njërit apo tjetrit mund t’i mungojë fëmija, nuk dihet se ku është edhe i tregon atij tjetrit pastaj që më kanë vrarë fëmijën... Ramiz Alia: Nuk është kaq e thjeshtë. Një bashkëbisedues: Por, ka edhe një parullë që ka varre masive dhe se çfarë fshihen pas kësaj... Ramiz Alia: Unë, rrugën si ta zgjidh? Mumtaz Dhrami: Me informacion, një njeri jo i përgatitur aq sa duhet, një drejtor, një sekretar partie mund të mbledhë supet, nuk e di. Erdhi nëna e filanit kërkonte djalin, as emrin në ambasadë nuk e gjeti dhe as në morg nuk e kishte. ç’u bë djali? Mbas dy ditësh e mori vesh që djali ishte në Gjermani. Po ndërkohë e hapi atë. Ramiz Alia: Shiko, mua më dërgonte letër sekretari i Partisë së Kinostudios dhe më shkruante pikërisht një gjë analoge, por nuk më thoshte që gjashtë veta nga ne ikën, nga kolektivi i Kinostudios, gjashtë veta, nuk e thoshte. Kurse këtë po ma thoshte, thuhet që janë vrarë qindra vetë në kufi. çfarë t’i them unë atij? E kam çështjen këtu, si të bëhet kjo?! Mumtaz Dhrami: Unë mendoj që diçka edhe në gazeta mund të bëhet. Për shembull, ndodhi një aksident në rrugë, në Elbasan u vranë disa vetë etj, pothuajse, më kupton, më duket se është botuar një herë një lajm i tillë. Atje janë vrarë katër veta, ndërsa njerëzit i shtojnë dhe i bëjnë 100. Domethënë, diçka nuk e di, forma mund të gjendet.