Kosova u bë nga qytetarët
Në prag të Dyvjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, qarqe të caktuara në Kosovë, që kanë ende ndonjë lidhje nostalgjike më sistemin e kaluar, në të cilin çdo gjë shqiptare ishte e nëpërkëmbur e shqiptarët ishin më të përbuzurit në Evropë, përveç pozitës së tyre “elitare”, që gëzonte privilegje e merrte çmime të ndryshme të AVNO-it e 7 Korrikut, assesi nuk po mund ta gjejnë veten në ndryshimet e reja pozitive, të thella e përmbajtjesore, që kanë ndodhur në Kosovë, pas qershorit të vitit 1999 dhe që u formalizuan më 17 shkurt 2008. Nuk e di, nëse këta njerëz janë të interesuar të shëtisin në hapësirën e Kosovës së lirë, të pavarur e sovrane, për të parë frymëmarrjen e lirë të njerëzve, në shtëpi, në rrugë, në punë, në shkollë, në autobus, në tren, në tregje, e kudo tjetër. Askujt nga policia e shtetit nuk i cenohet e as nuk i rrezikohet jeta familjare a individuale, pse është i një kombi tjetër ose pse e ka fyer a sharë qeveritarin a shtetin dhe as pse bën propagandë të gënjeshtërt ndaj vendit të vet. Nuk e di nëse këta njerëz i shohin ndërtimet e shumta private e publike që janë bërë gjatë këtyre viteve në Kosovë; nuk e di nëse kanë pasur mundësi a kanë dashur t’i shohin shkollat, ambulancat, rrugët e shumta të asfaltuara dhe autostradat, që janë bërë në Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe biznesin privat, gjëra që po e ndryshojnë cilësinë e jetës së qytetarit tonë nga dita në ditë. Shkolla të shumta të fshatit e të qytetit, universitetet e fakultetet tona po gumëzhijnë si kosheret e bletëve nga fëmijët tanë, nga rinia e studentët, që janë pasuria jonë, që nuk mund të matet e vlerësohet me asnjë çmim. çdo fshat e qytet, gjatë këtyre viteve të lirisë në Kosovë, është bërë kantier ndërtimi e zhvillimi. Këto të arritura Kosova nuk i ka përjetuar gjatë gjithë shekullit të kaluar, edhe atëherë kur ka pasur ndonjë zhvillim. Nuk jam prej atyre që nuk i shohin e i njohin vështirësitë e shumta që i kanë qytetarët e Kosovës dhjetë vjet pas çlirimit dhe dy vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Nuk e parashoh se do të kemi jetë idilike e male të mbushura me “mjaltë e qumësht”, se nuk do të kemi pengesa e vështirësi të ndryshme, por jam i bindur se po e ndërtojmë e do ta ndërtojmë një Kosovë të lirë, sovrane e demokratike, një Kosovë ku sundon rendi e ligji, një Kosovë me qytetarë të barabartë e të dinjitetshëm. Këto vështirësi që po i kalojmë janë, para së gjithash e mbi të gjitha, pasojë e pushtimit më se 90 vjeçar serbo/jugosllav në Kosovë. Nuk dua të kem dhe askush nuk duhet të ketë në Republikën tonë, asgjë të përbashkët me mjeranët ose me shpirtshiturit, që i mohojnë ndryshimet rrënjësore, që kanë ndodhur pas Luftës çlirimtare në Kosovë. Këta zëra, që fatkeqësisht, po bashkohen me krrokatjet e korbave të Serbisë dhe të miqve të saj, që përpiqen me të gjitha mjetet ta ndalin procesin e Pavarësisë së Kosovës. Askush nuk duhet të jetojë me iluzionin se ndonjë udhëheqës, njeri-mesi ose institucion fantom, brenda dy vjetëve të qeverisjes do ta bënte Kosovën tokë të premtuar, parajsë për të jetuar me frymën dhe me aromën e luleve të xhenetit të kohës se Ademit (Adamit). Në Republikën e Kosovës, dy vjet pas Pavarësisë, kanë ndodhur ndryshime të shumta. Këto ndryshime janë vepër e brezave që kanë punuar në vazhdimësi për liri e pavarësi, të brezave që kanë kaluar më se 600 shekuj burg, të mëse 80 mijë të flijuarve për çlirim (vetëm pas Luftës së Dytë Botërore), për jetë të lirë e të pavarur; janë të mijëra dëshmorëve të Kombit të rënë në Luftën e fundit, të dhjetëra mija vetave, që kanë luftuar më armë në dorë dhe të qindra e mija të tjerëve, që i kanë mbështetur luftëtarët e lirisë, duke e ndarë edhe kafshatën e fundit me ta. Republika e Kosovës është vepër edhe e drejtuesve të institucioneve të pavarura e sovrane të shtetit të sotshëm të Kosovës që, pak ditë para Përvjetorit të Dytë të Pavarësisë, në Vjenë morën një shtytje të fuqishme në rrugën e shtetndërtimit, garancinë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe një urim shumë domethënës nga Presidenti i SHBA-së, zoti Barak Obama, në mbështetje të shtetit tonë. Para kësaj mbështetjeje të fuqishme ndërkombëtare në Vjenë nga KDN-i, duken tepër hileqare e primitive akuzat e ndonjë nostalgjiku të komunizmit jugosllav, se udhëheqësit e shtetit të Kosovës janë antievropianë. Dhe për kë thuhet kjo? Për ata që Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj ua hapen të gjitha dyert e lirisë, të zhvillimit, të sigurisë për jetën dhe të perspektivës evropiane me vlerat e saj. Republika e Kosovës e mbylli vitin e dytë dhe e filloi vitin e tretë të Pavarësisë, pos sukseseve të shumta në rrugën e shtet ndërtimit, edhe me sfida të shumta. Po cili është ai shtet në botë që nuk përballet me sfidat e kohës? Shteti i Kosovës brenda dy vjetësh arriti t’i ndërtojë të gjitha institucionet e shtetit të pavarur, i miratoi më se 140 ligje, bëri zgjedhje të lira, të vlerësuara nga faktori i jashtëm, po e ndërton identitetin qytetar e shtetëror, brenda e jashtë vendit. Kosovën e kanë njohur 65 vende të botës, është bërë anëtare e FMN-së dhe e BB-së dhe se shpejti do të bëhet edhe anëtare e Bankës Evropiane për Ndërtim e Zhvillim. Më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e kapërceu suksesshëm sfidën e saj kryesore, duke e hapur suksesshëm një epokë të re – Epokën e Shtetit të Pavarur, Sovran dhe Demokratik. Zëri i Kosovës, sot dëgjohet kudo. Dëgjohet në Bruksel e në Uashington, në Nju Jork e në Londër, në Vjenë, në Bon e në Paris, në Romë e në Ankara, në Tokio e në Otavë, në Stokholm, në Oslo e në Helsinki; dëgjohet në Ballkan e në Evropë, në Azi e në Amerikë, në Afrikë e në Australi. Kudo njihet e do të njihet shteti ynë. Kështu nuk ishte, vetëm para dy vjetësh. Vetëm para dy vjetësh, hartës së Evropës iu shtua një shtet i ri – Republika e Kosovës. Kjo duhet të na ngulitet thellë në kokat tona. Këtë duhet tua përsërisim çdo natë pranë ekraneve televizive fëmijëve tanë. Vitet e Pavarësisë e kanë filluar numërimin e tyre të pandalshëm. Se ku do të jemi pas një viti, varet shumë nga energjitë tona pozitive, nga energjitë pozitive që i kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, nga energjitë pozitive që do t’i mbjellim të fëmijët tanë, në familjet tona. Në rrugëtim e sipër, me mjete, me metoda e me procedura demokratike, mund dhe duhet të ndryshojmë shumëçka. Kjo është një fitore e madhe, që duhet ta shfrytëzojmë. Ashtu si e shfrytëzon e gjithë bota demokratike, duhet të dimë ta shfrytëzojmë edhe ne shqiptarët. Qytetarë të Kosovës, burra e gra, politikanë, intelektualë, biznesmenë e rini, le të na shërbejë Dyvjetori i Pavarësisë për t’i bashkuar të gjitha energjitë e mundësit tona për ta ndryshuar pozitivisht imazhin e shtetit tonë, në Evropë e në Botë. Nëse duam, bashkë mund ta bëjmë vendin tonë të zhvilluar e të përparuar, mund ta bëjmë edhe atë që sot na duket e pamundshme. Po jo kështu, si e kemi nisur, në prag të Dyvjetorit të Pavarësisë, ku mbrojtësit e institucioneve të shtetit, të rendit e të ligjit, e shkelin ligjin mbi të cilin janë ngritur. Kësaj i thonë: “ta presësh degën mbi të cilën qëndron me të dy këmbët!”