Shqiptarët po humbin kryeqendrën e Dardanisë
Analistë dhe veprimtarë të ndryshëm shqiptarë kanë shprehur shqetësimin e tyre se nëse vazhdon të aplikohet ky projekt, atëherë shqiptarët do ta humbin Shkupin që ka qenë kryeqendër e Dardanisë. Koço Danaj, analist i pavarur në Tiranë, ka akuzuar politikanët shqiptarë në Maqedoni se nuk po udhëheqin politikë të mirëfilltë kombëtare. “Politikanët shqiptarë në Shkup, ose në Shqipërinë Lindore që fillon nga Struga e mbaron në Kumanovë, në qoftë se do të vazhdojnë me teorinë e sotme, ditën kundër Nikolla Gruevskit dhe natën përqafohen me të, natyrisht që Shkupin do ta humbin”, deklaron Danaj. Sipas tij, viti 2014 është në mes viteve 2013 -2015, viti kur do të sendërtohet “Shqipëria Natyrale” dhe kjo Shqipëri nuk do të ndërtohet pa Shkupin. “As Ali Ahmeti as Menduh Thaçi nuk janë politikanë të përjetshëm. Mua nuk më shqetëson nacionalizimi i Gruevskit, pasi ai në këtë pikë është shumë transparent. Ai u thotë politikanëve shqiptarë, ose bëheni vasal të mi, ose ikni, ose përballoni sfidën. Një pjesë e politikanëve shqiptarë nuk duan ta përballojnë sfidën dhe kanë zgjedhur rrugën e deklaratave”, tha Danaj. Autori i librit “Shqipëria Natyrale” e konsideron “Shkupin 2014” një projekt nacional-shovinist të krahut më nacionalist maqedonas. “Ky projekt jam i sigurt se nuk do të gjejë zbatim, sepse shqiptarët si në Kosovë apo Shqipëri, si dhe në Shqipërinë lindore, do nxjerrin njerëz të tillë që do të dinë t’i mbrojnë simbolet e tyre reale. Shqiptarët falë universiteteve, dhe qarkullimit të lirë me bashkëkombësit e tyre në Prishtinë ose Tiranë do të dinë me rrugë demokratike ta bëjnë që të dështojë projekti ‘Shkupi 2014’”, tha Danaj.Për liderin e Lëvizjes “Vetëvendosja” në Kosovë, Albin Kurti qëllimi i Gruevskit është që t’i shpërngulë shqiptarët nga Shkupi. “Qeveria e IRJM-së, është e interesuar që tua bëjë situatën të padurueshme shqiptarëve dhe në këtë mënyrë t’i detyrojë ata të shpërngulen prej Shkupit kur dihet që afër gjysma e popullsisë janë shqiptarë. Me përpjekjen e tyre të dëbimit të shqiptarëve ata janë duke e përdorur politizimin e kulturës, me ç’rast qëllimet e tyre shoviniste i shprehin nëpërmjet përmendoreve, kishave të ndryshme. Kjo bëhet me qëllim që shqiptarët të ndjehen se janë në ndonjë ambient të huaj, ani pse shqiptarët janë autoktonë aty”, tha Kurti.Albin Kurti që përfaqëson zërin revolucionar të Kosovës kërkon që politikanët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri t’i ndihmojnë shqiptarët e Maqedonisë. “Mendoj shqiptarët në IRJM nuk mund t’iu kundërvihen suksesshëm si të vetëm qeverisë së IRJM-së dhe përpjekjeve të saja anti-shqiptare. Është domosdoshme që reagimi jonë të jetë kombëtar dhe i përbashkët. Jo vetëm shqiptarët në IRJM, por edhe Kosova e Shqipëria do të koordinonin veprimet kundër Shkupit zyrtar. Elitat politike në Prishtinë dhe Tiranë nuk e kanë fare në agjendë mbrojtjen e shqiptarëve në IRJM”, tha lideri i “Vetëvendosjes”.Ndërkaq, analisti nga Tirana, Koço Danaj ka fajësuar politikanët e Maqedonisë për besimin që kanë ndaj qeverisë së Maqedonisë. “Duke mos hequr fare fajin as të Prishtinës e Tiranës, dua të them se populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e tyre politik, të cilët i ka zgjedhur për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve. Kush janë shqiptarët, rojet e Maqedonisë? Nëse ata nuk ngrihen, jam i sigurt se sërish do të kemi justifikime edhe nga Tirana edhe nga Prishtina. E keni dëgjuar ndonjëherë Ali Ahmetin ose Menduh Thaçin që të thonë se unë jetoj në Shqipërinë lindore. Ata e konsiderojnë Maqedoninë si atdheun e tyre”, tha Danaj.Në fund të prononcimit për “Lajm”, Koço Danaj tha se nuk mjaftonte vërejtja e Ilir Metës ndaj Milloshovskit vetëm për gjuhën maqedonase qysh nga klasa e parë . “Meta duhej të kërkonte llogari pse s’ka ligj për flamurin shqiptar në Maqedoni, pse s’ka asnjë festë shqiptare në dhjetë festat shtetërore të Maqedonisë dhe pse bëhet vetëm një projekt ultranacionalist, për ta krijuar Shkupin nga ish-kryeqendër e shqiptarëve në kryeqendër të maqedonasve”, tha Danaj.Ndryshe në projektin “Shkupi 2014” janë paraparë të ndërtohen ura, përmendore, skulptura të ndryshme të figurave maqedonase, kisha ortodokse në sheshin “Maqedonia” dhe fasada të reja për objektet në qendër. /lajm/