Diplomati grek, vizitë në Tiranë
Sot mbërrin në Tiranë për një vizitë dyditore ministri plotësues i Jashtëm grek, Dimitris P.Droutsas. Ministri grek mbërrin në vendin tonë në orën 11:00 dhe rreth orës 11:30 pritet të ketë një takim "kokë më kokë" me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Ministri plotësues grek, Droutsas dhe ai shqiptar, Meta, do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Dimitris P.Droutsas do të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin Berisha dhe Kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Ndërkohë, në ditën e dytë të vizitës së tij, ministri plotësues i Jashtëm grek do të ketë edhe një takim me Presidentin Bamir Topi. Vizita e zyrtarit grek vjen në një moment kur në Shqipëri ka shpërthyer debati rreth marrëveshjes së ndarjes së ujërave territoriale midis dy vendeve. Pakti është kontestuar edhe në Gjykatën Kushtetuese.