Të djathtët: Asnjë ish-komunist komisioner i BE-së
Ata komisionerë europianë që kanë një të kaluar komuniste, pra kanë bashkëpunuar me regjimet komuniste para 20 vitesh, ose me qeveri të korruptuara, nuk do të marrin aprovimin e grupit parlamentar të djathtë në Parlamentin Europian. Kjo është deklarata e fundit e publikuar prej grupit parlamentar më të madh. Sipas tyre, kandidatët për komisionerë nuk duhet që në asnjë lloj rrethane të kenë një të shkuar të lidhur me qeveritë jodemokratike, apo më keq akoma të kenë çuar njerëz në burg. Në filtrin e të djathtëve mund të kalojë edhe Massimo D‘Alema, ish-kryeministri italian, që pretendon postin e ministrit të Jashtëm të BE-së. Posti i kryediplomatit duhet të miratohet edhe nga legjislatura e BE-së me dëgjime parlamentare që pritet të ndodhin në mesin e janarit të ardhshëm. Ato do të zgjasin për rreth 2 javë.