Diplomati shqiptar arrestohet në Turqi me 65 kile heroinë
Trazhgim Sokolaj
Sekretari i dytë i ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni, u arrestua në Stamboll me 65 kilogramë heroinë në makinën e tij private të pajisur me targa diplomatike (CD). Agim Haxhiu, zyrtari nr.2 i përfaqësisë tonë diplomatike në shtetin fqinj të Maqedonisë ka rënë në prangat e shërbimeve turke të Antidrogës, mbrëmjen e 2 majit 2009. Lajmi është konfirmuar në rrugë zyrtare nga policia turke, e cila citohet prej mediave vendase. Sasia e heroinës me vlerë rreth 650 mijë euro është gjetur në automjetin tip “Ford” me të cilin diplomati shqiptar Agim Haxhiu po udhëtonte në qytetin e Stambollit. Ngarkesa me drogë mësohet se është gjetur në makinën e Agim Haxhiut, ndërsa dyshohet se ai ka hyrë në Turqi një natë para arrestimit. Të dhënat e hetimit tregojnë se diplomati e kishte marrë heroinën në Shqipëri dhe ishte në kthim drejt Bullgarisë në momentin që u arrestua. Sipas të dhënave që policia turke i ka përcjellë Ministrisë së Jashtme në Tiranë përmes oficerit tonë të kontaktit në Ankara, mësohet se diplomati Agim Haxhiu është ndaluar në segmentin rrugor Stamboll-Edirne. Arrestimi mësohet se ka ndodhur më 2 maj 2009 pas një kontrolli të shërbimeve të Antidrogës së policisë turke në makinën e diplomatit shqiptar. Agim Haxhiu akuzohet nga policia turke për kryerjen e veprës penale “tregtim i lëndëve narkotike”. Sipas Ministrisë së Jashtme në Tiranë, ai aktualisht ndodhet në burgun Maltepe në Stamboll.
Braktisi shërbimin
Rrethanat janë ende të paqarta megjithatë ajo çka konfirmohet nga disa burime njëherësh është se Sekretari i Dytë i Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni, kishte braktisur shërbimin që më 1 maj 2009. Nga burime diplomatike në ambasadën tonë në Shkup është konfirmuar se Agim Haxhiu nuk ka qenë në shërbim, madje ishte larguar pa adresë që më 1 maj 2009. Një fakt i tillë duket se konfirmohet nga një informacion i Ministrisë së Jashtme në Tiranë i siguruar dje në orët e mbrëmjes. “Ministria e Punëve të Jashtme, duke iu referuar informacionit të dërguar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Ankara, bën të ditur se në vijim të njoftimit telefonik lidhur me humbjen e lidhjeve dhe vendndodhjes së shtetasit Agim Haxhiu, ish-Sekretar i Dytë pranë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shkup, dhe mundësinë e udhëtimit të tij drejt Turqisë, nëpërmjet Oficerit të Kontaktit të Policisë së Shtetit, të akredituar pranë Përfaqësisë sonë në Ankara, u interesuam pranë organeve kompetente të policisë turke”, thuhet në informacionin e dikasterit të Jashtëm. Sipas ministrisë, “ky interesim nisi dhe u përcoll fillimisht si shqetësim i familjarëve të Agim Haxhiut edhe të Përfaqësisë sonë në Shkup, pasi që prej datës 1 maj ishin humbur kontaktet me të”. Ministria e Jashtme thekson se “Drejtoria e Përgjithshme e Policisë turke informoi oficerin tonë të kontaktit se diplomati Agim Haxhiu ishte futur në territorin turk me automjet, nëpërmjet kufirit tokësor me Bullgarinë, me datë 1 maj 2009.
Kërkimi i diplomatit
Duket se kërkimet për diplomatin tonë në Shkup që u arrestua në Stamboll kanë vazhduar për disa ditë pas sinjalizimit nga familjarët e tij. “Për të mundësuar lokalizimin e vendndodhjes së tij u kërkua dhe numri i telefonit, që mendohej se kishte në përdorim Agim Haxhiu. Pas pohimit verbal për hyrjen në Turqi të shtetasit shqiptar, Departamenti i Kufirit dhe i të Huajve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë turke, më 6 maj 2009, njoftoi, edhe zyrtarisht me shkrim, oficerin tonë të kontaktit për datën e hyrjes në Turqi të këtij shtetasi, data 1 maj 2009”, tha Ministria e Jashtme. “Pas disa komunikimesh, mes Përfaqësisë sonë dhe autoriteteve policore turke, vetëm sot pasdite (dje), më datë 7 maj 2009, ora 17:43, Policia e Stambollit përcolli me faks njoftimin për ndalimin e shtetasit Agim Haxhiu, me akuzën “për tregtim të lëndëve narkotike”, vijon më tej informacioni i Ministrisë së Jashtme në Tiranë.
650 -700 mije EURO
është vlera financiare e drogës së bllokuar në Stamboll pas kontrollit të ushtruar në automjetin privat me targa diplomatike të Agim Haxhiut
Rasti në Itali, shoferi i ambasadës me kokainë
TIRANE – Nëpunësit diplomatikë shqiptarë kanë një raport të ndërlikuar me ligjin kur ndodhen në shërbim jashtë vendit. Arrestimi i Agim Haxhiut në Stamboll është rasti i dytë brenda një viti, kur diplomatët dhe nëpunësit diplomatike shqiptarë arrestohen duke trafikuar narkotikë jashtë Shqipërisë. Më 25 gusht 2008, shoferi i Ambasadës së Shqipërisë në Romë, Itali, Arsen Selmanllari u arrestua pasi në makinën e tij me targa diplomatike u gjet nga policia italiane, një sasi prej 1 kilogram kokainë. Arrestimi është bërë në Milano nga zyra rajonale e Antimafias, e cila kishte informacion për lëndën që ndodhej në makinën e “diplomatit” shqiptar. Arsen Selmanllari fillimisht tentoi ti shmangej kontrollit të policisë italiane duke treguar targa diplomatike dhe dokumentin e nëpunësit por kjo nuk bëri punë. Shoferi i ambasadës tonë në Romë u arrestua për trafik lëndësh narkotike dhe ndodhet në paraburgimin italian në pritje të gjykimit për këtë çështje.
Shkarkohet diplomati i arrestuar me heroinë
TIRANE – Sekretari i dytë i Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni është shkarkuar nga detyra dhe është zhveshur nga çdo lloj privilegji apo imuniteti diplomatik. Vendimi është bërë publik dje pas mesditës, ndërsa burime të Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, thonë se shkarkimi i Agim Haxhiut është bërë më parë. “Ai kishte braktisur detyrën prej një jave që nga 1 maji 2009. Shkarkimi i tij është bërë para njoftimit nga pala turke për arrestimin”, thanë burimet. Ndërkohë edhe Ministria e Jashtme në Tiranë që dje në mesditë, ka bërë publik faktin e shkarkimit të Sekretarit të Dytë të përfaqësisë tonë diplomatike në Maqedoni. Në orët e mbrëmjes në dokumentet dhe informacionet zyrtare të Ministrisë së Jashtme në Tiranë, pas emrit Agim Haxhiu, shtohej ndërkaq edhe përcaktimi si ish-Sekretar i Dytë i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup të Maqedonisë. Pasi konfirmuan arrestimin e Agim Haxhiut me akuzën e trafikut të drogës, burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme thanë se “me t`u njohur zyrtarisht me këtë informacion, Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron të nevojshme të theksojë se shtetasi Agim Haxhiu nuk gëzon asnjë privilegj dhe imunitet diplomatik dhe do të procedohet sipas legjislacionit ne fuqi në Republikën e Turqisë, si dhe konform konventave ndërkombëtare”. Kryerja e veprës penale të trafikimit të lëndës narkotike duket se ka qenë argumenti i dytë i fortë për shkarkimin e ish-diplomatit Agim Haxhiu. Zyrtarët e diplomacisë në Tiranë e konsiderojnë shkelje edhe largimin e tij pa adresë duke braktisur detyrën që më 1 maj 2009. Prej kësaj kohe, kur po udhëtonte në drejtim të Turqisë, Agim Haxhiu nuk ishte paraqitur në detyrë pranë Ambasadës tonë në Shkup. tr.so