E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Kushtetuesja ‘rrëzon’ qeverinë

 

Aristir Lumezi

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sërish kërk-esën për konflikt interesi të saj me ligjin e Lustracionit. Në një seancë maratonë prej 5 orësh, që në fillim të seancës, gjyqtarët e Kushtetueses, me tetë vota pro dhe asnjë kundër, e cilësuan hipotetike dhe antikushtetuese kërkesën e përfaqësuesit të qeverisë, zv.ministrit Viktor Guma, për të larguar nga gjykimi i kësaj çështje katër nga gjyqtarët e saj. Sipas përfaqësuesit të qeverisë, Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Petrit Plloçi nuk duhet të gjykojnë kërkesën e socialistëve për ta rrëzuar ligjin e Lustracionit, pasi ata janë objekt shqyrtimi i nenit 3 dhe 4 të ligjit të Lustracionit. Sipas tij, ata kanë dhënë dënime politike në pozicionin e prokurorit dhe gjyqtarit politik gjatë regjimit komunist. “Kërkesa paraprake për përjashtimin e katër gjyqtarëve bazohet në tekstet e vendimeve gjyqësore, bashkëlidhur kësaj kërkese, ku merret pjesë në cilësinë e prokurorit apo të gjyqtarit, të cilat janë vendime penale dënimi për vepra penale politike. Këto vendime iu paraqiten me cilësinë e provës dokumentare dhe janë pjesë e arkivës së hapur gjyqësore të gjykatave të Republikës së Shqipërisë dhe si të tilla janë dokumente me karakter publik”, u shprehën përfaqësuesit e qeverisë, Guma dhe Xhaferrllari. Pas kësaj kërkese, gjyqtarët u tërhoqën për ta shqyrtuar atë dhe vendosën rrëzimin e saj. Sokol Berberi në emër të Gjykatës u shpreh se, “Gjykata Kushtetuese është shprehur me disa vendime të saj, duke cilësuar si përparësi kryerjen e funksionit të gjykatës para kërkesës për bllokimin e punës së saj”. Sipas tij, pretendimet e qeverisë janë hipotetike dhe nuk gjejnë mbështetje në nenet 36, 37 të Kushtetutës, që përcaktojnë rastet kur largohet një gjyqtar nga detyra”. Përfaqësuesja e deputetëve që i ishin drejtuar Kushtetueses, avokatja Shega Ligori, argumentoi antikushtetutshmërinë e ligjit të Lustracionit, pasi sipas saj në ligj dhe në Kushtetutë janë përcaktuar të gjitha rastet kur një nga kategoritë e përfshira në këtë ligj mund të largohet nga detyra. Çdo rast tjetër, sipas saj, është antiligjore dhe antikushtetuese. Sipas saj, autoriteti që do të bëjë sipas ligjit të Lustracionit përcaktimin e atyre që preken nga ky ligj, është ekstrakushtetues dhe nuk mund të rrëzojë përcaktimet kushtetuese. Përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumentet kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve.

Vladimir Kristo
Përfaqësuesi i qeverisë, zv.ministri i Drejtësisë, Viktor Guma, kërkoi largimin nga gjykimi të kryetarit të Gjykatës Kushtetues, Vladimir Kristo, për shkak të konfliktit të hapur të interesit që ai ka me çështjen e Lustracionit. “Paraqesim kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Vladimir Kristo, sepse ka marrë pjesë në cilësinë e prokurorit në dhënien e vendimit numër 7 të datës 14.01.1981 për veprën penale të agjitacionit dhe propagandës; vendimin numër 10 të datës 16.01.1981, vepra penale e mbetur në tentativë për agjitacion dhe propagandë”, u shpreh përfaqësuesi i qeverisë. Por përveç këtyre çështjeve, përfaqësuesi i qeverisë rreshtoi edhe disa vendime të tjera që kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka marrë gjatë kohës kur ka qenë prokuror. “Vendimi numër 23 i datës 06.02.1981 për veprën penale agjitacion dhe propagandë; vendimi numër 43 i datës 24.04.1981 për veprën penale politike të agjitacion dhe propagandë kundër shtetit”, tha Guma.

Petrit Plloçi
Në konflikt interesi me gjykimin për ligjin e Lustracionit, përfaqësuesit e qeverisë kanë cilësuar edhe një tjetër gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Në qendër të vendimeve politike, sipas qeverisë, edhe gjyqtari Petrit Plloçi ka dhënë vendime politike gjatë kohës së diktaturës komuniste. Gjyqtari Petrit Plloçi ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal numër 17, datë 20.01.1988 për veprën penale politike të arratisjes jashtë shtetit; vendimin 242 datë 17.09.1988 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimi nr. 94 të datës 03.04.1989 për veprën penale politike të arratisjes jashtë shtetit”, kërkoi përfaqësuesi i qeverisë. Edhe gjyqtari Plloçi, sipas qeverisë, duhej të përjashtohej nga gjykimi i kësaj çështje, pasi ai është një nga njerëzit me të cilët merret zbatimi i këtij ligji.

Fehmi Abdiu
Gjyqtarët që janë në konflikt interesi me gjykimin e ligjit të Lustracionit, sipas qeverisë, janë objekt i nenit 3 dhe 4 të ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të miratuar në dhjetor të vitit 2008. Qeveria i paraqiti këto vendime në cilësinë e provës dokumentare dhe sipas përfaqësuesit të qeverisë, janë pjesë e arkivës së hapur gjyqësore të gjykatave të Shqipërisë. Një nga këta gjyqtarë është dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu. Sipas përfaqësuesit të qeverisë, gjyqtari Fehmi Abdiu ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit penal numër 79 të datës 09.04.1981 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit; vendimin 259 të vitit 1987 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimin nr. 70 datë 20.03.1987 për veprën penale agjitacion dhe propagandë kundër shtetit.

Kujtim Puto
“Edhe gjyqtari Kujtim Puto ka dhënë dënime politike gjatë kohës së diktaturës komuniste”, u shpreh dje përfaqësuesi i qeverisë. Sipas tij, vendimet që ka marrë Puto kanë qenë kryesisht ato për agjitacion dhe propagandë. “Gjyqtari Kujtim Puto ka marrë pjesë në cilësinë e gjyqtarit në dhënien e vendimit nr. 26 të datës 12.03.1981 të veprës penale të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit; vendimin 147 të datës 31.12.1975 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor; vendimin nr. 105 datë 25.11.1975 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës; vendimin nr. 58, datë 02.07.1980 për veprën penale politike të agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit”, tha përfaqësuesi i qeverisë. Sipas tij, edhe ky gjyqtar nuk duhet të gjykojë Lustracionin, pasi ai preket nga dy nene të këtij ligji.

Ndryshimet në sallë
Dje në sallën e Gjykatës Kushtetuese ranë në sy disa ndryshime që rrisin sigurinë gjatë seancave të saj. Një nga punonjësit e sigurisë së Gjykatës, ndryshe nga më parë, qëndroi gjatë gjithë kohës brenda sallës, ndërsa salla ishte e ndarë mes pjesës së gjykimit dhe pjesës ku qëndrojnë të ftuarit. Duket se këto ndryshime kanë ardhur pas kthimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga një vizitë pune në ShBA, ku kanë ndjekur dhe mënyrën se si funksionojnë gjykatat në Amerikë.

Komisioni i Venecias
Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Komisionit të Venecias me një letër, me anën e së cilës i kërkon sugjerim rreth kërkesës së deputetëve të Kuvendit që kërkojnë rrëzimin si antikushtetues të ligjit për “Pastërtinë e figurës të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve vendorë”. Ende nuk ka asnjë përgjigje nga Komisioni i Venecias, por praktika e këtij komisioni nuk njeh afate kohore për të dhënë përgjigje në raste të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›