Topalli: Jemi për një Shqipëri pa dallim mes Jugut dhe Veriut
Kryetarja e Kuvendit në turin me gratë për një Shqipëri që po ndryshon u ndal në Tepelenë në një takim me qindra zonja, nëna e të reja të këtij qyteti. Duke ju drejtuar nënave dhe vajzave të Tepelenës, Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera tha: “Kush më shumë se amësia mund të bashkojë? Kush më shumë kujdeset ndaj fëmijës, nga momenti që lind dhe na i venë në krahun tona si nëna, dhe pastaj çdo ditë, çdo natë, çdo orë mbi kokën e fëmijës, kur është i sëmurë, kur qan, kur qesh kur ka hall? Ndaj dhe unë gjithmonë kam besuar se ne gratë kemi një gjuhë të përbashkët. “Unë, vijoi Kryetarja e Kuvendit, dëgjova për shifra dhe investime të rëndësishme që janë bërë në Tepelenë, janë bërë shumë më shumë seç janë bërë vite më përpara. Shumë mirë që janë bërë. Më shumë do të bëhen. Ju them juve zonja se në mandatin e ardhshëm Tepelena do të ketë 3-fishin e këtyre investimeve, do të ketë më shumë para për të lidhur lagje të tjera me rrugë të tjera dhe për ta bërë Tepelenën ashtu siç e ka emrin të madh, për të cilën ju jeni krenarë, të gjithë shqiptarët janë krenarë, për ta bërë Tepelenën me mirëqënie më të madhe, edhe më moderne, edhe më të bukur. Unë i kërkoj sot zonjave të Tepelenës të na mbështesin në projektin tonë. Është një projekt serioz. Ne jemi seriozë. Ne i shikojmë njerëzit në sy. Në qoftë se ne e japim fjalën, ne e mbajmë atë. Ne nuk bëjmë diferencë. Nuk ka gjë më të bukur, sesa kjo që kemi realizuar. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e veriut apo e jugut. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e fshatit dhe e qytetit. Shqipëria e sotme nuk është më një Shqipëri e djathtë dhe e majtë. Jo, jo. Jemi një Shqipëri e re. Jemi një Shqipëri që jemi bërë anëtarë me të drejta të plota në NATO. Jemi një Shqipëri që kemi aplikuar për në BE”, tha Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se “Jemi një Shqipëri që po rritet çdo ditë. Jemi një Shqipëri që po nxitet. Jemi një Shqipëri që po bëjmë që për pak muaj çdo burrë, çdo vajzë, çdo i ri, çdo student të shkojë kudo, në Itali, në Gjermani, në Francë, kudo në Evropë, pa viza, pa radhët e ambasadave. Ky është projekti ynë. Ky është programi ynë”.