E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorian Gray: Portreti homoseksual

SHKRUAN: Aida Tuci 05-05-2011 11:24

Lajmi i The Guardian, se pas 120 vjetësh është publikuar më në fund versioni origjinal, pikërisht versioni i pancesuruar i romanit të Oscar Wilde, “Portreti i Dorian Gray-t”, nga Universiteti i Harvardit, konsiderohet një hap historik në botën e letrave, por që njëkohësisht ka hapur debatin se origjinali mund të mos jetë më i mirë se versioni me të cilin këta 120 vjet është mrekulluar bota mbarë. Kryevepra e Wilde, kur pa dritën e botimit në vitin 1891 hapi debate të mëdha në Angli. Shtypi anglez e përkufizoi atë si një roman “vulgar”, “të turpshëm” dhe sidomos “të dëmshëm” për shoqërinë “puritane” angleze. Por profesori i Universitetit të Harvardit, Nicholas Frankel, mendoi se ka ardhur momenti që lexuesit në mbarë botën të zbulojnë sesi Wilde e kishte portretizuar në të vërtetë Dorian Gray-n e tij. J. M. Stoddart botuesi i Wilde (në vitin 1890) eliminoi asokohe disa pjesë të tekstit që kishin hapur debat në shtyp që, kur pjesë të romanit u reklamuan që në vitin 1890 në revistën Lippincott’s Monthly Magazinë, duke shkurtuar edhe aty pjesët ku portretizohej natyra erotike dhe e sentimenteve e piktorit Basil ndaj Dorian Gray-t dhe homoseksualitetin e vetë Dorian-it. Nicholas Frankel, kurator i botimit të pacensuruar të Universitetit të Harvadit, u shpreh se për ta bërë këtë roman të pranueshëm edhe për lexuesin femëror, por dhe për gjithë shoqërinë angleze, Stoddart asokohe vendosi të hiqte edhe referencat në tekstin origjinal, ku Sybil Vane etiketohej si “dashnor” i Dorian Gray-t, duke i lejuar vetes madje që të bënte rregullime edhe në disa pasazhe që, sipas kritikave të asaj kohe, të çonin në rrugë të gabuar. “Stoddart në të vërtetë eliminoi disa pjesë ku Wilde konfirmonte stilin e tij të të jetuarit, që konsiderohej si dekadencë”- shpjegon profesori Nicholas Frankel. Pasazhe të tilla si: “në këtë mënyrë nuk kam dashuruar kurrë një femër”, për atë kohë të largët të 1891-it konsideroheshin si herezi, sepse konfirmonte natyrën homoseksuale të protagonistit. Tashmë, sipas profesorit të Harvardit, kohët kanë ndryshuar për publikimin e romanit të Wilde në versionin e tij origjinal. “Ky është versioni që ndoshta edhe vetë Wilde do të kishte dashur që të lexohej në shekullin XXI”- thotë profesori. Sa për ta ilustruar: Pyetja në versionin origjinal të shkruar nga vetë Wilde: “Sybil Vane është i dashuri yt?” u modifikua nga Stoddart në: “Cilat janë raportet e tua me Sybil Vane?”. Këtu bëhet fjalë për një nga tre referencat rreth dashnorëve të Gray-t, që u hoqën nga editori. Në tekstin origjinal piktori Basil Hallward i drejtohet Dorian Gray-t: “It is quite true i have worshipped you with far more romance of feeling than a man should ever give to a friend. Somehow I have never loved a woman” (“Është shumë e vërtetë se të kam admiruar ty, me më shumë ndenja romantike sesa i takon një burri për një mik. Kurrë s’kam dashuruar një grua në këtë mënyrë”), ndërkohë që në tekstin e censuruar që ne njohim sot kjo deklaratë është “From the moment I met you, your personality had the most extraordinary influence over me” (Nga momenti që të takova personaliteti yt ndikoi jashtëzakonisht tek unë).

Universiteti i Harvardit ka deklaruar se diferenca mes tekstit origjinal dhe versionit të publikuar janë në fakt të ditura vetëm për atë pjesë të studiuesve që kanë njohur dhe studiuar dorëshkrimet e Wilde, pasi fatmirësisht teksti origjinal i shkruar nga shkrimtari anglez nuk humbi, por ka qenë monopol i disa studiuesve të cilët e kanë ekzaminuar. Por Nicholas Frankel vendosi që t’ua japë mundësinë mbarë botës, për të lexuar kryeveprën e Wilde “Portreti i Dorian Gray-t”, ashtu siç do të ishte botuar në vitin 1891, nëse nuk do të censurohej. Por akoma mbetet për t’u parë nëse bota sot është e përgatitur për të vënë në skenë në versionin origjinal “Portretin e Dorian Gray-t”, një nga veprat që është vënë më shumë se çdo vepër tjetër në të gjitha skenat teatrore në mbarë botën, përfshi edhe skenën kombëtare të teatrit shqiptar, ku kjo vepër është ngjitur dhe ringjitur disa herë nën interpretimin e aktorit Ndriçim Xhepa në rolin e Dorian Gray-t.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›