Pranga grabitësve të kambistit por nuk gjenden paratë
ELBASAN- Policia ka arritur të zbardhë skemën sesi është realizuar grabitja e kambistit Arben Kovaçi rreth një javë më parë. Vetëm 24 orë nga ngjarja u ndalua shtetasi Albert Qafa, 44 vjeç, lindur në Elbasan dhe me banim në Shkozet i dyshuar si organizatori i grabitjes së shtetasit Arben Kovaçi që kishte me vete 25 milionë lekë. Menjëherë policia shpalli në kërkim autorin e dytë të dyshuar Gentian Hoxha, 26 vjeç, me banim në Shkozet. Vetëm një natë më parë, efektivat blu të drejtorisë së policisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë kanë vënë në pranga 26- vjeçarin Gentian Hoxha që ishte i shpallur në kërkim edhe nga Komisariati Durrës për veprën penale Heqje të paligjshme të kufirit dhe 21- vjeçarin Laert Mehmeti lindur e banues në Gjirokastër. Por nuk ka përfunduar këtu operacioni “Shkozeti” pasi bashke me ta policia ka arrestuar edhe një tjetër shtetas të shpallur në kërkim. Fisnik Hoxha, 24 vjeç, me banim në Shkozet është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Në grabitjen e biznesmenit ka marrë pjesë edhe një 25- vjeçar lindur në Burrel dhe banues në Durrës. Alban Skonja është shpallur në kërkim nga policia për grabitje në bashkëpunim ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër person, emri i të cilit për shkak të hetimeve nuk bëhet i ditur. Gjatë kontrollit në banesat e të arrestuarve janë bllokuar katër milionë lekë të vjetra ndërsa vazhdojnë kërkimet për sasinë tjetër të parave të vjedhura. Drejtori i Policisë së Elbasanit, Aleks Hajdari, ka shfrytëzuar territorin e Komisariatit të Durrësit kur edhe ishte me detyrë për të zbardhur ngjarjen e grabitjes së kambistit. Arben Kovaçi kambist në qytetin e Elbasanit ishte duke shkuar në shtëpi në lagjen Kongresi i Elbasanit kur është goditur me mjete të forta pas koke dhe i janë marrë të gjitha paratë që kishte me vete. Policia arriti menjëherë tek emri i organizatorit të kësaj ngjarjeje dhe brenda disa ditësh u kapën edhe dy të tjerë që kanë bashkëpunuar për grabitjen. Historia është zhvendosur në Shkozet të Durresit ku edhe banonin autorët e këtij krimi.