Disa ish-të përndjekurit shkelin në selinë e PS-së
Pasi ka futur në programin e Partisë Socialiste të përndjekurit politikë, Edi Rama po përpiqet ta bëjë sa më të besueshme afrimin e kësaj partie me këtë shtresë të shoqërisë. Dje ai ka arritur të sigurojë një takim me disa ish-të përndjekur në një delegacion të kryesuar nga Saimir Maloku, ndërkohë që në këtë takim ishte dhe kreu i sindikatave, Gëzim Kalaja. Dy shoqata të tjera që njihen si më aktivet dhe përfaqësues të kësaj shtrese mohuan të kenë marrë ndonjë ftesë nga Rama për tu takuar lidhur me qëndrimin e ri të PS-së ndaj kësaj shtrese. Më parë krerët e këtyre shoqatave ishin shprehur se PS nuk është konsultuar me ta, kur ka bërë pjesë të programit çështjen e trajtimit të kësaj shtrese, ndërkohë që e kushtëzuan bashkëpunimin me PS-në me dënimin nga ana e kësaj partie të krimeve të komunizmit që janë bërë nën hyqmin e paraardhëses së saj, Partisë së Punës. Ndërkaq Rama duke mos rrezikuar të hapë debat me përfaqësues të ish-të përndjekurve ka organizuar një takim me një delegacion të një shoqate tjetër, që sipas asaj që u tha pas takimit, i ka kërkuar PS-së të mbështesë ligjin për ditën e 20 shkurtit. Zyra e shtypit pranë Ramës nuk dërgoi një njoftim sqarues për këtë takim, ndërsa Gëzim Kalaja pas takimit tha se "jemi këtu bashkë me përfaqësues të të përndjekurve politikë për datën 20 shkurt, për të përshkruar realitetin historik të kësaj date, sepse nuk jemi dakord me ligjin që ka miratuar Parlamenti shqiptar në të cilat përjashtohet kontributi i bashkimit të sindikatave të pavarura, dhe forcave të tjera dhe popullit të Tiranës, se data 20 shkurt është data historike që ndan Shqipërinë nga e kaluara komuniste, rrëzimi i diktatorit". Aleatët e tyre të djathtë, Ngjela dhe Ndoka, janë optimistë për lëvizjen e re të PS-së në këtë drejtim.