E Diel, 1 Nëntor 2026

Sllovaki, Lajçak-Meta: Vizat të hiqen sa më shpejt

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, merr në Bratislavë mbështetjen e Sllovakisë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe liberalizimin sa më parë të vizave për shqiptarët. Në një takim që ministri shqiptar zhvilloi me homologun e tij sllovak, Lajçak, ky i fundit deklaroi se vizat duhen hequr sa më parë. Lajçak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe ka vlerësuar rolin shumë konstruktiv që luan Shqipëria në rajon, si një faktor paqeje e stabiliteti, ndërsa shprehu bindjen se të dyja vendet do të punojnë së bashku për integrimin e plotë të rajonit ballkanik në Bashkimin Evropian. Vlerësojmë progresin e Shqipërisë. Ka bërë hapa para. BE duhet të mbajë premtimin. Vizat për shqiptarët duhen hequr sa më parë, - Ministria e Jashtme në Tiranë citon shefin e diplomacisë sllovake, Miroslav Lajçak. Gjatë takimit, Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, dorëzimin e Pyetësorit nga Kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Ai theksoi se Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave si një çështje dinjiteti dhe shprehu besimin se ky vendim do të merret së shpejti nga BE-ja. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, tregues i qartë i të cilave është dhe hapja reciproke e ambasadave në Tiranë dhe Bratislavë. Meta po zhvillon një turne diplomatik në disa nga vendet e BE-së. Para Sllovakisë, Meta vizitoi Austrinë, ku mori mbështetjen e Vjenës për heqjen e vizave dhe procesin e integrimit të vendit në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›