E Diel, 1 Nëntor 2026

1 maj, PD-PS, festë e përbashkët te Nënë Tereza

Të detyruar të ndërrojnë sheshin, por jo të heqin dorë nga festa. Demokratët, të mësuar të mblidhen përgjatë 20 viteve në sheshin Skënderbej, më 1 maj thjesht do të zhvendosen pak më tutje, pikërisht drejt bulevardit Dëshmorët e Kombit, në sheshin tjetër, atë Nënë Tereza. Bllokimi i qendrës së kryeqytetit nga kryebashkiaku Edi Rama thjesht ka zhvendosur demokratët në sheshin tjetër, por pa mundur të pengojë festën e paralajmëruar më datën 1 maj. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se tashmë është përcaktuar Nënë Tereza si vendi për të festuar kryeqytetasit ditën e punëtorëve, madje të ftuar edhe nga rrethet e tjera të vendit. Për PD-në nuk përbën asnjë problem protesta e socialistëve që nis në datën 30 prill në po të njëjtin shesh dhe që pritet të vazhdojë edhe të nesërmen. Larg provokimit që socialistëve, për të mos lëshuar sheshin për demokratët, këta të fundit, nuk do të trazojnë ujërat, madje duke zgjedhur një rrugë shumë më paqësore, atë të festës së përbashkët me socialistët. Sipas demokratëve, nëse ata nuk lirojnë vendin më datën 1 maj, nuk përbën asnjë problem, pasi fare mirë mund të qëndrojnë në shesh dhe të dëgjojnë grupet më të mëdha muzikore dhe zërat më të mirë të muzikës shqiptare dhe asaj botërore në podiumin që do të ngrihet tek Nënë Tereza në orën 19:00 të datës 1 maj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›