E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa nga rrethanat e vendimit të gjyqit

1- Me vendimin Nr. 1, Dt. 26.04.2004 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Qarkut Vlorë (KRT-QV) është vendosur miratimi i studimit urbanistik pjesor për lejen e sheshit dhe lejen e ndërtimit të fshatit turistik në zonën Lukovë-Kakome, me sipërfaqe prej 32.3 ha, me porositës “Club Mediterrane” dhe Shoqëria “Riviera” sh.p.k.

2- Me vendimin Nr. 2, Dt. 23.06.2004 të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KRRTRSH), është vendosur që shoqërisë “Riviera” shpk (ndërhyrës dytësor në këtë gjykim) dhe “Club Mediterrane”, t’i miratohet sheshi dhe leja e ndërtimit të një fshati turistik me sipërfaqe 32.3 ha në zonën turistike Lukovë-Kakome (Komuna Lukovë paditëse në këtë gjykim). Afati i lejes së ndërtimit është tre vjet.

3- në Dt. 05.07.2004, ndërmjet shtetit Shqiptar të përfaqësuar nëpërmjet Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit dhe shoqërisë “Riviera” shpk, të përfaqësuar nga administratori i saj, z. Dritan çela, është lidhur kontrata e qirasë për sipërfaqen 70 ha, ku 32.3 ha do të jenë të destinuara për ndërtim. Kjo sipërfaqe ndodhet në Lukovë–Kakome dhe është pikërisht kjo sipërfaqe objekt konflikti.

4- Kontrata e qirasë e përmendur më lart është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë në Librin Nr. 1 dhe shoqëria “Riviera” shpk është pajisur me vërtetimin përkatës, ku thuhet: “Regjistrohet në Librin Nr. 1 kontrata e qerasë e Dt. 05.07.2004 midis shtetit shqiptar dhe shoqërisë “Riviera” shpk, për sipërfaqen 70 ha tokë truall. Afati i qerasë, 99 vjet.

5- Në Dt. 22.11.2004, me vendim të KRRT së Qarkut Vlorë është bërë zbardhja e lejes së ndërtimit dhe është autorizuar fillimi i punimeve për ngritjen e fshatit turistik në Kakome–Lukovë.

6- Shoqëria investitore, “Riviera” shpk, ka filluar punimet për ndërtimin e fshatit turistik, por në mënyrë të vazhdueshme është penguar nga banorët e fshatit Nivicë, Sarandë, për ndërtimin e këtij fshati turistik, pasi këta banorë kishin dhe kanë pretendime pronësie për tokën ku do të ndërtohet ky fshat turistik. Në dosje ka një sërë dokumentesh që provojnë korrespodencën midis Komunës Lukovë dhe inspektorateve të ndërtimit, ku kërkohet që të mos lejohet ky ndërtim. Kanë qenë këto konflikte që e kanë penguar shoqërinë “Riviera” shpk ta ndërtojë fshatin turistik për të cilin kishte marrë leje nga organi kompetent.

7-Në Dt. 23.06.2007 ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit të KRRTRSH Nr. 2, Dt. 23.06.2004, për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome–Lukovë, pasi ky afat ishte tre vjet nga data e këtij vendimi.

8-Në Dt. 17.07.2008, me vendimin Nr. 1/14, Dt. 01.07.2008 të KRRT së Qarkut Vlorë, është zgjatur afati i lejes së ndërtimit të fshatit turistik në Kakome–Lukovë. Pikërisht ky akt administrativ është kundërshtuar në gjykatë nga pala paditëse si absolutisht i pavlefshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›