Prokuroria lexon akuzat e rënda për Dritan Dajtin
Pas plot 15 seancash merr rrugë gjykimi i Dritan Dajtit, i cili akuzohet për ekzekutimin një vit më parë të 4 oficerëve të policisë. Dje paradite, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka nisur procesin gjyqësor, edhe pse në të nuk mori pjesë për arsye shëndetësore i akuzuari kryesor, ndërsa ishin të pranishëm Ergest Xhoxhi dhe Mariglen Muça, që dyshohen si bashkëpunëtorë të Dajtit. Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e Xhoxhit dhe Muçës, të cilët donin ndarjen e gjykimit nga i pandehuri tjetër, Dritan Dajti. Akuza, që përfaqësohej nga dy prokurorë, Ardian Nezha dhe Eugen Beci, ka paraqitur për 30 minuta kërkesën për gjykim, ku ka rreshtuar të gjitha akuzat për të pandehurit.
SeancaProkurori Ardian Nezha, në emër të akuzës, prezantoi rezultatet e hetimit për ngjarjen e rëndë të 9 gushtit të 2009-s në Durrës, duke e akuzuar të pandehurin Dajti si autorin e vrasjes me armë zjarri të katër ish-oficerëve të Policisë së Shtetit, Festim Xhanit, Artur Duçkallarit, Altin Dizdarit dhe Kastriot Feskës. Më pas janë lexuar edhe akuzat e ngritura për dy të pandehurit e tjerë të procesit. Sipas Prokurorisë Për Krimet e Rënda, Ergest Xhoxhi akuzohet për përkrahjen e Dajtit në tentativat e tij për t’iu shmangur forcave të rendit kur ishte në kërkim, si dhe për falsifikim të dokumenteve. Ndërsa ish-punonjësi i Policisë së Durrësit, Mariglen Muça, akuzohet për “abuzim me detyrën”, pasi mendohet që ky i fundit e ka ndihmuar Dritan Dajtin gjatë kohës që kërkohej nga drejtësia shqiptare. Po në seancë prokurori ka shpalosur edhe morinë e provave për fajësinë e pretenduar ndaj të pandehurve, si dhe paraqiti një listë të gjatë me dëshmitarët që do të thirren në proces. Sipas prokurorisë, në këtë proces të bujshëm do të thirren për të dëshmuar mbi 30 persona.
Pak para se të hapej seanca, kur procesi kishte dështuar plot 14 herë, dy të pandehurit pjesëmarrës në gjykim kërkuan veçimin e çështjes nga ajo e Dritan Dajtit. Pas kërkesës reaguan përfaqësuesit e akuzës, të cilët i bindën togat e zeza të merrnin vendimin për rrëzimin e kërkesës, me argumentimin se veçimi i tyre dëmtonte procesin.
NgjarjaProcesi i djeshëm lidhet me ngjarjen e 9 gushtit të vitit të kaluar në Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri, në operacionin për të arrestuar të shumëkërkuarin Dritan Dajti, 4 efektivë të Policisë së Shtetit. I pandehuri Dajti akuzohet se hapi zjarr ndaj forcave të rendit, duke vrarë Festim Xhanin, Artur Duçkallarin, Altin Dizdarin dhe Kastriot Feskën. Madje, Dajti akuzohet se, gjatë shkëmbit të zjarrit me policinë, ka vrarë edhe mikun e tij të plagosur, Ledion Mara, që të mos binte në duart e forcave të rendit. Në këtë operacion mbeti i plagosur edhe i pandehuri kryesor, i cili më pas u arrestua dhe u izolua në spitalin e burgut. Pas trajtimit mjekësor, ai është izoluar në qelitë e paraburgimit 313 në Tiranë. Dritan Dajti ishte shpallur në kërkim nga autoritetet policore, pasi mundi të arratisej nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003, ndërsa procedohej për vrasjen e një biznesmeni në kryeqytet, ngjarje për të cilën u dënua me burg. Burime policore thanë se kohën në arrati Dajti mendohet ta ketë kaluar jashtë kufijve të Shqipërisë. Po sipas tyre, ai dyshohet të jetë përfshirë edhe në veprimtari ilegale. Pak para se të ndodhte ngjarja e gushtit të vitit 2009, Dajti dyshohej se strehohej në qytetin e Durrësit nën identitetin e rremë të oficerit të policisë.
#