E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni serb sherr me norvegjezët për Kosovën në Eurosong

Oslo Organizatorët e Festivalit Europian të Këngës, në hartën kartolinë njihnin shtetin e ri

Kosova nuk është pjesë e Serbisë, kështu që nuk kishim arsye që ta paraqisnim atë në hartën e Serbisë, thanë organizatorët e Festivalit të 55-të Europian që po zhvillohet këto ditë në Oslo të Norvegjisë, në përgjigje të reagimit të ashpër të delegacionit serb që shoqëron këngëtarin serb në këtë festival, Millan Stankoviç. Në natën e parë gjysmëfinale të këtij festivali, para fillimit të këngës së përfaqësuesit të Serbisë, kufijtë e kësaj të fundit në hartën-kartolinë, që u paraqit në ekranet e mëdha të ambientit ku zhvillohej festivali, tregoheshin pa Kosovën.

Një nga anëtarët e ekipit që ka marrë përsipër realizimin e Festivalit Europian të sivjetshëm, Justin Ebenek, në një prononcim të djeshëm në gazetën e përditshme serbe “Kurir”, vuri në dukje, me këtë rast, se organizatorët e kishin bërë këtë me qëllim, pra e kishin paraqitur Serbinë pa Kosovën me vetëdije. “Askush nuk donte të lëndonte ndjenjat e serbëve, duke e hequr Kosovën nga harta e Serbisë, por duhet të theksoj se Norvegjia, si mikpritëse e Festivalit Europian të sivjetshëm, nuk mund ta paraqiste Kosovën në përbërje të Serbisë, duke qenë se ne jemi një ndër vendet e para që e kemi njohur Kosovën si shtet të pavarur”, tha Ebeneku, duke theksuar se çdo delegacion në Oslo, para këngës së përfaqësuesit të vet, ka të drejtën e paraqitjes në ekran të hartës-kartolinë të vendit të tij dhe se ata ishin të vetëdijshëm se delegacioni serb do të reagonte në këtë mënyrë. “Por, sidoqoftë, vështirë se do të mund të bëjmë ndonjë ndryshim lidhur me këtë. Të gjithë ne që kemi marrë pjesë në realizimin e “Eurosong”-ut, mendojmë se kjo është zgjidhja më e mundshme e padhembshme për të gjithë. Ky është një manifestim me karakter apolitik dhe kështu duhet të mbesë”, vuri në dukje anëtari i ekipit që realizoi Festivalin Europian të sivjetshëm. Në MPJ-në e Serbisë, sikurse shkruan gazeta “Kurir”, ishin në dijeni për “incidentin” në Eurosongun e Oslos dhe se ajo kishte kontaktuar me Drejtorinë e Radiotelevizionit Serb RTS, nga e cila kishte marrë përgjigje se delegacioni serb në Norvegji kishte reaguar ashpër, por se bëhej fjalë për një çështje, tek e cila delegacioni serb nuk mund të ndikonte.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›