E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa nga "thumbat" e "Fiks Fare"

"Fiks Fare" mbylli dje sezonin e tij të gjashtë. Ndërpreu për disa kohë transmetimin e emisionit, për t‘u rikthyer në muajin shtator. Edhe në këtë sezon, stafi i këtij emisionit, me anë të satirës, humorit dhe fokusit të kamerës, kritikoi, demaskoi dhe ndikoi në zgjidhjen e disa problemeve vërtet shqetësuese për qytetarët e thjeshtë, të cilët nuk rreshtin së besuari se "Fiks Fare" është zëri i tyre. Edhe në sezonin e gjashtë të tij, emisioni goditi korrupsionin, mashtrimin, dhunën etj.

Tek institucioni ynë në të vërtetë beson edhe vetë shteti. Në analizën që iu bë luftës kundër korrupsionit, zv/shefi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, z. Altin Dumani, pranoi se kanë nisur hetime edhe duke marrë shkas nga materialet e "Fiks"-it. "Jemi përpjekur të jemi të vëmendshëm në regjistrimin e veprave penale me iniciativë, duke treguar ndjeshmërinë e duhur ndaj aferave të ndryshme të bëra publike në media apo organe të shtypit. Përmend këtu dy procedime të regjistruara në bazë të denoncimit në emisionin ‘Fiks Fare‘", tha Dumani dy ditë më parë. Denoncimet kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin, dhunës etj., në sezonin që sapo la pas emisioni, kanë qenë të shumta.

Pashai i Tiranës

Pashai i Tiranës, me raport mjekësor, por gëzon shëndet të plotë, edhe pse prej disa dekadash nuk është më i gjallë.

Në emisionet e para të këtij sezoni, gazetarët e "Fiks Fare" treguan sa e thjeshtë ishte të merrje në klinikat tonë një vërtetim që tregon se gëzon shëndet perfekt edhe pa qenë vetë prezent i interesuari.

Madje, këto raporte mjekësore mund t‘i paraqesësh edhe për të siguruar një patentë për drejtim automjeti, edhe pse mund të mos shohësh nga sytë, edhe pse mund të jesh invalid. "Fiks Fare" e vërtetoi këtë, por shkoi më tej. Nga fletët e historisë së Shqipërisë, shkëputi emrin e Sulejman Pashë Bargjinit, të cilit, edhe pse nuk është më i gjallë prej disa dekadash, i nxori disa vërtetime mjekësore, që konfirmonin gjendjen e tij perfekte shëndetësore.

Me emrin e këtij personazhi, i cili njihet nga të gjithë si themeluesi i kryeqytetit tonë, Tiranës, u paraqitëm në disa poliklinika mjekësore, ku firmosëm vërtetimet pa problemin më të vogël. Por skandali nuk mbaron këtu. Në institucionet tona, jo vetëm që nuk të shohin dokumentet, por nuk shohin as fotografitë. Në vend të fotografisë së themeluesit të Tiranës, gazetarët e emisionit "Fiks Fare" paraqitën fotografinë e një personi shumë të kërkuar nga FBI-ja. Të gjitha dokumentet që nxorën gazetarët e emisionit u vërtetuan se ishin fiktive. E nëse janë kaq fiktive dokumentet që të nevojiten për të siguruar një patentë, do të thotë që në rrugë mund të hasim të sëmurë psikikë apo të alkoolizuar që mund t‘u japin makinave.

Skandal në shëndetësi

Laboratorët privatë gjejnë leukocite, eritrocite në urinën artificiale të përgatitur nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare".

Emisioni publikoi përgjigjet e analizave të tretësirës së përgatitur nga përzierja e ujit me pluhur duhani, sheqeri, kripe, plehu kimik. Këtë përzierje e nisëm në 13 laboratorë mjekësorë të kryeqytetit, tre prej të cilëve ishin laboratorë shtetërorë. Disa laboratorë në përgjigjet e tyre kanë treguar me përqindje praninë e disa elementëve biologjikë, që nuk mund të prodhohen në kushte laboratorike apo shtëpiake, siç bënë gazetarët e emisionit "Fiks Fare". Askush nuk e dalloi që përzierja ishte ujë me elementë të ndryshëm dhe jo urinë. Këto çudira mund të ndodhin vetëm në Shqipëri, ku askush nuk kontrollon pajisjet me të cilat punojnë në laboratorët privatë e që kanë mbirë kudo nëpër rrugët e Shqipërisë dhe as kontrollon stafin që punon në këta laboratorë.

Psikiatria

Mjekët keqtrajtojnë pacientët. Të sëmurëve psikikë u japin medikamente që nuk u bëjnë efekt. Mjekët dorëzohen përballë mungesave që kanë në mjete dhe medikamente. Kjo është akuza që ngrenë të afërmit pacientëve të Spitalit Psikiatrik të Tiranës. Vetë pacienti tregoi përpara kamerës së emisionit se e kishin rrahur në urgjencën e spitalit me grushte dhe me shkelma.

Gjatë një ballafaqimi të të afërmve të pacientit me mjekun që e ka ndjekur gjatë mjekimit në repartin e urgjencës së Spitalit Psikiatrik, vetë mjeku pranoi se edhe mund ta ketë prekur ndonjëherë me dorë pacientin e tij, por kjo nuk është rrahje, por "një goditje mjeku". Gjithashtu, gjatë kësaj bisede, mjeku i urgjencës u rekomandon familjarëve të pacientit të tij që ta kurojnë, por jo me medikamentet e spitalit.

Shoferë furgonash pa patentë

Në linjat e transportit urban ka shoferë pa patentë. "Fiks"-i zbuloi skandalin në linjat e transportit. Gazetarët treguan se si në linjat Qendër-Kamëz, Qendër-Kinostudio, Qendër-Kombinat qarkullonin furgona të paligjshëm, që në çdo moment të ditës dhe natës rrezikojnë jetën e pasagjerëve. Shumica e tyre nuk ishin të pajisur me leje drejtimi të automjeteve të klasit D. Madje ndonjëri nuk kishte fare patentë. Ndërsa qytetarët udhëtojnë të qetë në këta furgonë, pa e ditur rrezikun që u kanoset.

Alonso me patentë shqiptare

Ish-kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso, është pajisur me patentë shqiptare kombëtare dhe ndërkombëtare. Gazetarët e "Fiks Fare" kanë pajisur me leje qarkullimi ndërkombëtare dhe kombëtare ish-kampionin e botës në Formula 1. Nxjerrja e kësaj patente ishte mjaft e thjeshtë.

Gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në disa autoshkolla, derisa gjetën një sekser që merrte përsipër nxjerrjen e patentave për drejtim makine pa u paraqitur fare në provim dhe pa bërë asnjë ditë kurs. Patenta që "Fiks"-i i nxori Fernando Alonsos ka fotografinë e tij, por me gjeneralitete të tjera. Vendlindja e tij është Gjirokastra dhe është 27 vjeç.

Si kolaudohet një makinë?

Edhe pse nuk mund të kesh frena fare, edhe pse mund të mos kesh sinjalet e automjetit, mund ta kalosh lehtë kontrollin teknik dhe të marrësh një dokument që vërteton që makina jote është brenda të gjithë parametrave që kërkohen për të ecur në rrugë, nëse paguan pak para nën dorë. "Fiks"-i vërtetoi sa e thjeshtë dhe me pak shpenzime është të marrësh një akt kolaudimi për një makinë, e cila mezi ecën në rrugë.

Skandal në burgjet greke

"Fiks Fare" publikoi pamjet e kushteve të vështira, ku vuajnë dënimin të burgosurit shqiptarë në Greqi. Filmimet me një kamera amatore tregonin disa të burgosur shqiptarë, të cilët flinin në një qeli të vogël. Pamjet dëshmuan kushtet e vështira ku mbahen të dënuarit shqiptarë në burgjet e shtetit fqinj. Rreth 30 të dënuar që flenë ngjitur me njëri-tjetrin, shtrirë në tokë.

Dhuna e policëve

Policët shqiptarë në emër të ligjit mund të të gjakosin, të të fyejnë dhe ndihen të paprekshëm. I gjakosur, edhe pse kishte pasaportë angleze, një burrë rreth të 40-ve denoncoi dhunën që ushtroi mbi një punonjës i policisë së qarkullimit rrugor. Altin Katana kërkonte që të merren masa ndaj patrullës së policisë që e ndaloi në superstradën Fushë Krujë-Laç. "Fiks Fare" transmetoi pjesë nga debati i zhvilluar mes policëve të qarkullimit rrugor dhe dy qytetarëve.

Akti i pavarësisë

Akti i pacensuruar i pavarësisë, që Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ia dhuroi më 28 nëntor 2007 Muzeut të Pavarësisë së Vlorës, Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha, nuk është origjinali dhe nuk është kopja e vetme. Kudo që shkuam mësuam se edhe ky akt që ka Muzeu i Pavarësisë në Vlorë është një kopje e origjinalit. Origjinalin nuk e gjen askush.

Gjyqtari dhunon gazetarin e "Fiks"-it

Murat Lleshi, gjyqtar në Mat, ka aksidentuar me makinë gazetarin Ksenofon Ilia. Gazetari i "Fiks Fare" kishte realizuar një kronikë në fshatin Urakë me banorët që ankoheshin se gjyqtari Lleshi nuk i lejonte të ndërtonin urën. Ilia ndodhej para Gjykatës së Matit për të marrë një përgjigje prej tij. Gazetari i "Fiks"-it ka kërkuar me këmbëngulje të realizojë detyrën e tij, atë të informimit, por gjyqtari Lleshi e ka përplasur me makinë atë, madje gjatë këmbënguljes së grupit të xhirimit të "Fiks Fare" për të marrë një përgjigje nga gjyqtari, ai ka tentuar të nxjerrë edhe armën.

Pas këtij denoncimi, Prokuroria e Lezhës filloi hetimet, Inspektorati i KLD filloi hetimin e të gjitha çështjeve që kishte gjykuar zoti Lleshi, ndërsa USAID ndërpreu ndihmat për Gjykatën e Matit. Ndërkohë, USAID kishte nënshkruar një marrëveshje me këtë gjykatë për të mbështetur përmirësimin e efikasitetit dhe të përgjegjshmërisë së saj, pjesë e projektit trevjeçar për Shtetin Ligjor. Por marrëveshja do të pezullohet deri në sqarimin e plotë të ngjarjes nga KLD.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›