E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domenek: Të mposhtim Rumaninë, ose mbytemi në liqen

Trajneri Rajmond Domenek deklaroi se Franca duhet me patjetër të fitojë në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, pasi në të kundërt rrezikon të mbytet në liqenin e Gjenevës. "Ajo sfidë na katapulton drejt një vazhdimësie në aktivitet, ose na mbyt në liqen", tha drejtuesi i stolit të përfaqësueses transalpine. Duke folur më seriozisht, Domenek tha se skuadra e tij mund të rikuperonte nga një humbje e mundshme, por natyrisht që do të ishte më mirë të fitonin përballë kundërshtarëve që e shohin veten si surpriza e EURO 2008. "Ndeshja me rumunët nuk është domosdoshmërisht decizive, pasi mund të humbasësh në takimin e parë, por, gjithsesi, të kualifikohesh për më tej. Megjithatë, nuk ka dyshim që rezultati në sfidën e parë ndikon në mënyrën sesi paraqitesh në të gjithë aktivitetin", nënvijëzoi ai për gazetarët. Domenek, i cili e drejtoi Francën përtej parashikimeve drejt finales së Botërorit 2006, beson se situata e tanishme është e ndryshme, pasi "Gjelat" vlerësohen si një prej kandidatëve potencialë për fitimin e titullit evropian. "Në Kupën e Botës, njerëzit mendonin se do të ishim një skuadër e dobët dhe pa shumë pretendime, por këtu është ndryshe, vazhdoi tekniku. Mbi skuadrën ka shumë presion dhe ne të gjithë dëshirojmë të arrijmë diçka të veçantë". Ai konfirmoi se kapiteni i skuadrës, Patrik Vieira, nuk do të jetë në ndeshjen e parë. "Momentalisht, me siguri mund t‘ju them vetëm se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen kundër Rumanisë", tha Domenek, që të dielën do të vendosë nëse Vieira do të qëndrojë me skuadrën, apo do të largohet nga aktiviteti. Megjithëse ndodhen në grupin më të vështirë (së bashku me Italinë dhe Holandën), lojtarët francezë kanë krijuar një atmosferë të shkëlqyer në skuadër: "Janë shokë, por fakti që po argëtohen nuk do të thotë se e shohin si të garantuar se do të marrin rezultate të mira".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›