E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallashi i Gruevskit...

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni dëshmuan se klasa politike shqiptare nuk punon as për interesa të ngushta partiake, por vazhdon t‘i shërbejë politikës maqedonase, e cila sukses po korr vetëm në këtë drejtim.

Marrëveshja e Ohrit mbulohet me ca marrëveshje liderësh që nuk janë aspak të nevojshme, sepse gjithçka që është precizuar me përfundimin e konfliktit, dhe garant janë SHBA e BE, nuk është realizuar. Pa u vënë në jetë, kjo marrëveshje është modifikuar, edhe pse shumë prej pikave të saj as që janë realizuar.

Politika e shëmtuar

Maqedonia pluraliste, me një klasë politike të nivelit shumë të ulët, ku marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjët vazhdon t‘i ketë shumë të tensionuara dhe arrin që, me gjuhën e urrejtjes, të lëvizë kurbën e brendshme politike, duke ndikuar deri te dimensionet e mazhorancës parlamentare.

Fushata parazgjedhore e këtij viti, ashtu si edhe në ditët e para të shtetit të Maqedonisë, ishte e stërmbushur me premtime për realizimin e të drejtave të shqiptarëve, pengimin e tyre, ose gumëzhitjen se si socialdemokratët na u paskan dhënë aq shumë të drejta qytetarëve shqiptarë në Maqedoni.

Partitë shqiptare, edhe pas shtatë vjetësh, na rrëfejnë se kush më shumë ka realizuar të drejtat e shqiptarëve, edhe pse ata vazhdojnë të mos i gëzojnë. Ndërsa VMRO-DPMNE, partia që fitoi mazhorancën absolute në Parlament, akuzon partinë rivale LSDM se si na u paska dhënë të drejta shqiptarëve, kur ajo ishte në pushtet, të drejta që shqiptarët ende nuk po i shijojnë. Dhe nuk ishte vetëm kjo akuzë që bindi maqedonasit se vërtet shqiptarët kanë për të vuajtur, sepse nuk duhet harruar premtimi famoz i liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, se derisa ai të qeverisë gjuha shqipe nuk do të zyrtarizohet në Maqedoni.

Imagjinoni nivelin e politikës në Maqedoni: gjatë fushatës për zgjedhje parlamentare, i servir elektoratit (i cili duhet të jetë i ngjashëm me politikën, projekte antishqiptare) dhe nuk e zë në gojë fare as ekonominë dhe as arsyet e dështimit të integrimeve euro-atlantike.

Dështimet e kësaj politike të shëmtuar mbulohen me urrejtje ndëretnike, ku Gruevski jo vetëm që arrin të qëndrojë në pushtet, por edhe të forcohet më shumë. Madje, VMRO-DMNE është partia e vetme në rajonin e Evropës Juglindore, ose në këtë rast koalicioni parazgjedhor që arrin të ketë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, pa kurrfarë koalicioni qeverisës.

Kjo shumicë vmro-iste, e cila sot nuk e ka të qartë se si do të anëtarësohet në BE e NATO, e ka kuptuar se njësia matëse në bllokun politik maqedonas vazhdon të jetë antishqiptarizmi, madje ai frontal.

E shqiptarët vazhdojnë të vriten...

Ndërsa Gruevski shan shqiptarët dhe ata që i ndihmuan shqiptarët përgjatë gjithë fushatës dhe mandatit të kaluar qeverisës, shqiptarët vazhdojnë të vriten mes vetes.

Të drejtat e shqiptarëve të përcaktuara me Marrëveshjen e Ohrit, edhe pse nuk u plotësuan, vazhduan të tërhiqen për së gjëri dhe për së gjati, rrotullohen, kthehen mbrapsht, por në asnjë moment nuk u trajtuan si e drejtë normale e një taksapaguesi të Maqedonisë, i cili në buxhetin e shtetit merr pjesë me 30%.

Përgjegjës për mosrealizimin e të drejtave shqiptare nuk u bënë për asnjë moment maqedonasit. Nëse dikush dëshiron të flasë për rezultatet e shënuara, i duhet antiplumb, ose makinë e blinduar. Dhe pse në Maqedoni vazhdon të jetë në fuqi ligji që dënon armëmbajtjen pa leje, ai nuk vlen në rast se arma përdoret kundër shqiptarëve. E ç‘kuptim ka fushata parazgjedhore e shqiptarëve në Maqedoni pa armë!!! Ata e kanë kuptuar se mace apo qen nuk ke të drejtë të gjuash, ama mbi shqiptarë dhe shqiptare, mos u kurse. As mos i lejo të flasin për të drejtat e tyre. Nuk ka rëndësi ku dhe kë vrau, e rëndësishme është që viktima të jetë shqiptar. Rreziku i vetëm që u kanoset këtyre keqbërësve është mosidentifikimi i atyre që, në këtë shtet, me këtë klasë dhe nivel politik, kurrë nuk do të gëzojnë të drejtat e tyre. Dhe quhen shqiptarë.

Dhe tani, kur me përfundimin e procesit zgjedhor flasin se kush do të flejë me armikun në një shtrat qeverisës e dështues, e ardhmja duket shumë e pashpresë.

Njeriu që vret në Brodec lejon vrasjen e shqiptarëve edhe në qendër të votimit, e nesër do të bëhet Kryeministër i Maqedonisë. Ndoshta përfaqësuesit shqiptarë në qeverinë e re do t‘i marrë edhe për dekor, por koha është që këtij njeriu dikush duhet t‘i thotë se shqiptarët në këtë shtet nuk janë vetëm e vetëm për t‘u vrarë.

Nëse Gruveski del lirshëm në fushatë, para dhe pas saj, pa antiplumb dhe makinë të blinduar, pse kështu nuk del dot Ali Ahmeti? Këtë duhet ta sqarojë ai.

Nëse maqedonasit dalin lirshëm dhe votojnë, pa u munguar një qime në kokë, pse këtë të drejtë nuk mund ta gëzojnë qytetarët shqiptarë? Është fakt se me mospjesëmarrjen e këtyre votuesve nuk humb Gruevski dhe VMRO-DPMNE, por ama Maqedonia mund të humbasë shumë.

Me këtë njeri nuk duhen marrëveshje maji apo marsi, është Marrëveshja e Ohrit, e cila duhet të zbatohet në mënyrë që të shihet se si mund të bashkëjetojnë shqiptarët e maqedonasit. Nëse këtë e shkelin shqiptarët, duhet alarmuar Brukseli dhe Uashingtoni, por nëse këtë e kanë shkelur dhe po vazhdojnë ta shkelin maqedonasit, atëherë firmëtarët ndërkombëtarë duhet të përgjigjen nëse janë për ekzistencën apo jo të këtij shteti.

Një shtet që nuk ka emër dhe nuk e pagëzon dot njeri dhe, nga ana tjetër, në emër të këtij shteti dikush vret, nuk ka pse të ekzistojë vetëm për urrejtje e vrasje. Nëse Gruveski, VMRO-DPMNE dhe 50% e maqedonasve nuk e duan këtë shtet, mund të ikin. Në Evropën Juglindore ka shtete shumë më të vogla se gjysma e Maqedonisë. Ndryshe, askush nuk e ka për borxh të mos jetë anëtar i BE dhe NATO-s, të mos lëvizë lirshëm nëpër Maqedoni dhe botë, e madje edhe vritet, sepse kështu dëshiron Nikolla Gruevski.

Dhe në fund fare. Nuk dihet se si Maqedonia me këtë politikë e mentalitet, ka menduar të anëtarësohet në NATO, por një gjë dikush duhet t‘ia bëjë të qartë Nikolla Gruevskit: Në Maqedoni gjuha shqipe nuk është luks, por domosdoshmëri. Nëse as këtë nuk e ka të qartë, ai do të bindet, por ndoshta do të jetë vonë. Atëherë Maqedonia mund të anëtarësohet në BE, por aty do ta gjejë Shqipërinë dhe gjuhën shqipe që do të gumëzhijë në kufje...


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›