E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Brenda vitit, licenca celulare nr.4

Muajin e ardhshëm pritet nisja e procedurave të licencimit për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme, procedura që pritet të mbyllen brenda këtij viti. Sipas drejtorit të ri të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT), Ilir Shehu, ky do të jetë hapi i radhës në liberalizimin maksimal të mundshëm të tregjeve të telekomunikacioneve, që është objektivi kryesor i bordit të ri drejtues. Shehu shpjegoi se metodologjia për rregullimin e tarifave do të miratohet në fund të muajit maj dhe do t‘i detyrojë operatorët e telefonisë së lëvizshme, që janë cilësuar Operatorë me Fuqi të Ndjeshme në Treg (OFNT), të ulin tarifat mesatarisht me 12.9%. Synimi i metodologjisë është një balancim i tarifave, ku si referencë është marrë praktika e vendeve të Bashkimit Evropian. "Ne nuk ndërhyjmë drejtpërsëdrejti te tarifat, sepse ato i vendosin operatorët, por ne nuk lejojmë devijime apo diskriminime të tregut. Metodologjia na i krijon këto mundësi", thotë ai.

Liberalizimi

Çështja e dytë për të cilën ERT beson se do të jetë shumë e ndjeshme në treg është liberalizimi i plotë dhe krijimi i kushteve të pastra të konkurrencës në treg, që mundëson uljen e tarifave pa ndërhyrjen e autoritetit rregullator. "Krijimi i një klime konkurruese në treg mes subjekteve është mënyra më e shkëlqyer për të realizuar uljen e tarifave për përdoruesit". Edhe hyrja e "Eagle Mobile" pritet të ketë ndikim në treg. "Në licencën e lëshuar nga ERT, ‘Eagle Mobile‘ kishte detyrimin që të mbulonte gjithë territorin shqiptar për një afat katërvjeçar. Por në të vërtetë, pas kërkesave të shumta që ne i kemi bërë ‘Eagle Mobile‘, ata na kanë siguruar që mbulimi pothuajse i plotë i territorit do të sigurohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti. Sipas testimeve që ata kanë kryer, 92% e territorit është mbuluar në mënyrë të plotë. Por sigurisht që kjo është vetëm një pjesë e shërbimit që publiku pret. Ajo që është më e rëndësishme është niveli i tarifave. Me hyrjen e plotë në treg të ‘Eagle Mobile‘, tarifat do të pësojnë një ulje të jashtëzakonshme, që shkon deri në 55.26% më të ulëta, krahasuar me tarifat që ofrojnë operatorët aktualë të telefonisë së lëvizshme", pohon Shehu.

Licencat Wi Max

Menjëherë pas nisjes së procesit për licencimin e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme do të shpallet edhe tenderi për dhënien e licencave Wi Max. "Nuk kemi marrë ende një vendim për numrin e licencave që do të jepen, por besoj se do të ndjekim eksperiencat më të mira të Bashkimit Evropian. Për të garantuar një cilësi të mirë të shërbimit dhe për të mos u përballur me rrezikun e interferencave, besojmë se një numër i arsyeshëm do të ishte katër licenca kombëtare dhe dy rajonale. Me anë të teknologjisë Wi Max mund të ofrohen të gjitha llojet e shërbimeve, që nga komunikimi me zë, figurë, video, internet etj.", shpjegon drejtori i ri i ERT-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›