E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse duhet pasur frikë nga qeveria?

I rritur me një mentalitet, ku pushteti i qeverisë dhe institucioneve është aty për të më garantuar të drejtat, e gjithashtu për të mundësuar që nëpërmjet taksave që paguaj këta funksionarë të më sigurojnë kushtet e domosdoshme të jetoj, nuk besoja që do ta bëja këtë pyetje. Por ja që vjen një orë e vjen një ditë kur gjërat që beson të zhduken nëpërmjet një fraze të vetme.

Frazë kjo që e dëgjova para disa ditësh. Isha në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme, e po diskutoja me një të mbijetuar të krimit të Gërdecit (e kam problem që krimet t‘i identifikoj si gabime teknologjike, ashtu si Kryeministri) në orvatjen time që ai të shpjegonte të gjitha presionet e pësuara nga funksionarët gjatë atyre ditëve përballë medias. Në mënyrë që qytetarët, të cilët s‘janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në kampe, t‘i marrin vesh, e dashtë Zoti, dhe të irritohen nga ky trajtim. Ai më tha: "O djalë, jeni rehat ju aty në Tiranë te ‘Mjaft‘-i, se ju ruajnë ndërkombëtarët, po unë kam frikë se si thotë ajo shprehja ‘frika e ruan vreshtin‘".

E imagjinoni dot? Kjo qeveri ia hodhi vreshtin në erë, madje bashkë me vreshtin i shkatërroi shtëpinë, mundësisht i plagosi e aq më keq i vrau, por frikën ama nuk arriti ta vriste dhe bravo i qoftë, se me frikë e do ky popull, që duroi 50 vjet komunizëm e tani nuk na duruaka një shpërthim të vogël.

A duhet pasur frikë nga kjo qeveri? Duhet pasur frikë, kur ndërkohë që ti je në shtëpi po sheh televizor, e fëmijët e tu po luajnë në oborrin e shtëpisë, që të është dashur aq shumë mund e punë ta sigurosh, një predhë nga ato të Bashkimit Sovjetik, të shpërthen në oborr e të hedh në erë. E gjithë kjo, se disa barkderra duan të shtojnë perimetrin e barkut e të mos paguajnë specialistë në demontimin e armëve, por këtë punë ta bëjnë me gra e fëmijë si në mesjetë. Se pavarësisht celularëve dhe Bllokut, Shqipëria vazhdon të përpëlitet.

Duhet pasur frikë o mik, se këtu votat nuk t‘i numëron askush, dhe kur t‘i numërojnë ata që vendosin, ti nuk i ke pasur as në listë, p.sh. siç bëhet votim familjar në fshatra, ashtu bëhet dhe pushteti familjar nga kryeministrat! Duhet pasur frikë, sepse pasi na vranë e na dogjën, pasi zhdukën nga harta një pjesë të Shqipërisë, dalin me kapadaillëk e thonë "nuk ka më problem Gërdeci!!!".

Po pse s‘duhet pasur frikë, ku në çdo vend normal, qeveria do binte dhe funksionarët shtetërorë do ndiqeshin penalisht, ndërkohë që këtu, ministri që hodhi firmën e masakrës, del e thotë me qetësi olimpike: "Më hiqni imunitetin, unë jam i sigurt që jam i pafajshëm, nuk është argument fakti që kam hedhur firmën se unë hedh shumë firma në ditë!!!". Pa koment, gjykojeni vetë.

Po mirë, kujt do t‘ia merrte mendja që do të kalonte gjithë kjo kohë e do diskutohej për vjedhje të ndihmave të Gërdecit??!! E akoma më keq që këtyre njerëzve nuk do t‘u rindërtoheshin shtëpitë, do liheshin në kampe e qeveritarëve as nuk do t‘i shkonte në mend që t‘i dëmshpërblenin? Uroj që këto fakte t‘i dinë vetëm shqiptarët, madje luten të gjithë gazetarët dhe qytetarët që mos t‘i tregojnë askujt se ç‘po ndodh këtu, se po ta marrë vesh ndonjë i huaj do na çmendet gjatë aktit të tregimit, vetëm ne durojmë sepse ne jemi popull heroik se si e kemi thënë që trima jemi me njëri-tjetrin, por kur vjen puna te qeveria shhhh se "frika e ruan vreshtin". E di këtë dhe Rama që bëri vetëm dy protesta, në formatin "nuk bëj as një as tre", se mos na mërzitet qeveria dhe dyshi gjithmonë ka qenë e do jetë numër KONSENSUAL.

Po mirë do thoni ju, qeveria po e rehabiliton veten, se pasi i vrau, i la pa shtëpi, pa asnjë kompensim, pa asnjë fajtor, të paktën po kujdeset që nëpër kampe të kenë kushte, se bën vaki që i mbushet kupa vrasin frikën e ja kërkojnë të gjithë të drejtat një nga një e pastaj s‘do ketë më frikë, Gabim! Të dielën në mëngjes, qeveria ka dhënë urdhër që "viktimat" të bëhen burra e t‘i bëjnë derman vetes, se s‘do rri të merret qeveria me të gjitha shqetësimet e tyre, se aty bëhen pushime, e burokratët duhet të pushojnë që prosperiteti i pandalshëm i qeverisë "Berisha" të vazhdojë.

Na e hodhën vëllezër, shumë pak po flasin në ndihmë të atyre fatkeqëve që kalojnë perëndimet në kampe, ca çuna e goca të "Mjaft"-it, bashkë me gazetarët, por askush s‘na dëgjoi, se mirë e kemi, duhet pasur frikë, kjo qeveri, me këtë teori ka shumë mundësi të na shtetëzojë dhe shtëpitë, kështu që mos fol e sheh çfarë i bën Kryeministri - Presidentit që vetë e vuri? Dhe ai hesht, se duhet pasur frikë qeveria, e ka frikë dhe Presidenti jo më ne që jemi thjesht dhe vetëm qytetarë votues, që as nuk na numërohet vota.

Por ka vetëm një problem të vogël, që qeveritë sado të mëdha, janë gjithmonë më të pakta në numër se qytetarët, e kur të vijë ai moment, kur të trokasë ai çast, kur ai inat i akumuluar të mos gjejë më përgjigje, s‘do ketë bodiguard që do t‘ju shohë më shpatullat se do t‘u kujtohen ngërdheshjet tuaja pas shpërthimit, s‘do ketë mjek që do t‘ju shërojë se ata e dinë që ato duar të përgjakura e ata sy të përlotur që panë ato ditë tmerri i kishit shkaktuar ju, ju që për hir të harmonisë familjare kryeministrore donit t‘i nxirrnit në rrugë e të privatizonit Spitalin Ushtarak. S‘do ketë ushtri që do t‘ju mbrojë se po nxjerrin me duar predhat që hodhët ju, pa i marrë mendimin atyre, e as baxhanakë s‘do ketë më që t‘ju strehojnë, do jeni vetëm, në atë moment, tragjikisht vetëm, e askush nuk do donte të ishte në vendin tuaj…

"Lum kush do të rrojë - të të shohë zonjë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›