Disa orë pas lindjes nëna hedh nga ballkoni fëmijën
I sapolinduri ka humbur jetën menjëherë, ndërsa nëna është hedhur dhe vetë nga kati i dytë, por ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën
Vetëm pesë ditë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, një nënë 27-vjeçare e ka hedhur atë nga kati i dytë i maternitetit në Vlorë dhe më pas ka tentuar të vetëhidhet. Por kjo gjë i ka kushtuar jetën vogëlushit të sapo ardhur në jetë, ndërsa nëna në gjendje depresive është shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës.
Ngjarja
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në ambientet e spitalit rajonal të Vlorës. Një grua e re ka hedhur fëmijën e saj nga ballkoni i katit të dytë të maternitetit dhe më pas është hedhur dhe vetë. E.N., 27 vjeçe, kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, djalë, para pesë ditësh.
27-vjeçarja kishte telefonuar të shoqin pak para ngjarjes, rreth orës 3:00 pas mesnate, dhe i kishte kërkuar të shkonte te spitali, në fasadën me ballkone. Mësohet se gruaja ka njoftuar të shoqin, duke e ftuar të shkonte jo nga dera e maternitetit, por ta takonte në ballkonin e maternitetit. Teksa ai është afruar, ajo i ka hedhur fëmijën, shoqëruar me fjalët “merre, nuk është fëmija im” dhe fare pak momente pas kësaj është hedhur edhe vetë. Lartësia ka qenë e papërballueshme për gjendjen e fëmijës së porsalindur, i cili ka vdekur në vend. Pasi është çuar për ndihmën e parë në ambientet e spitalit rajonal, gruaja është përcjellë sërish në maternitet, e më pas ajo është transferuar për ndihmë të mëtejshme në ambientet e spitalit neuropsikiatrik në Vlorë. Mjekët shpjegojnë se mjekësia njeh rritje të stresit pas lindjes, por nuk ka patur raste kaq ekstreme. Sipas burimeve spitalore, shkaku i ngjarjes mendohet të ketë qenë depresioni. Mësohet se muajin e fundit të shtatzënisë gruaja 27-vjeçare e kishte përjetuar në gjendje të stresuar dhe lindja mund të ketë përkeqësuar shëndetin e saj mendor.
Mjekët
Shefi i repartit të maternitetit, Remzi Haxhiu, pohon se gruaja ka bërë lindje natyrale. Ata kanë analizuar edhe faktorë të tjerë gjatë lindjes, por gjithçka ka qenë normale. Nga kontaktet me të shoqin, është mësuar se gruaja ka shfaqur shenja depresive kryesisht në muajin e nëntë të shtatzënisë. “Shenjat nuk janë marrë në konsideratë nga të afërmit, ndërsa gjatë momenteve të këtushme, pas lindjes, ajo gjithashtu ka shfaqur shenja nervozizmi me një nga mamitë, por nuk ka qenë asgjë serioze. Gjatë lindjes mund të bëhen të dukshme, apo shpërthejnë më tepër gjendje të tilla depresive, kur ato kanë qenë më parë të pranishme te femra”- thotë Haxhiu, duke bërë me dije se rasti është i rëndë dhe i pari në maternitetin e Vlorës. Drejtori i spitalit rajonal, Besnik Elezi, tregon se e kanë informuar për ngjarjen. “Fëmija ka humbur jetën, ndërsa gruaja nuk ka probleme të shëndetit. Po mbahet në observacion, mbas ekzaminimit që po i bëhet. U kërkuan konsulta me mjekun neuropsikiatër, pasi mendohet që ajo e ka bërë në kushtet e një depresioni apo të një psikoze, që zakonisht njihen pas lindjeve njëkohësisht ka ardhur edhe grupi hetimor, për të zbardhur pse ka ndodhur. Gjatë kohës që unë jam mjek në spitalin rajonal të Vlorës, ne kemi patur hedhje të të sëmurëve, me depresion, apo raste të tjera, por të tillë, që të hedhë fëmijën, nuk ka ndodhur”. Të tronditura nga ajo që kanë dëgjuar në orët e para të mëngjesit, kanë qenë shumë nëna të reja, apo edhe të tjera që janë të shtruara, duke pritur të sjellin në jetë fëmijën. Në sheshin para maternitetit ka familjarë të atyre që sapo kanë lindur. “Gjëra të padëgjuara po na kapin veshët, thotë një 70-vjeçare, e cila është bërë gjyshe për herë të tetë. Ne nuk kishim as këshilluese, as lehtësira, por ndjenja e nënës na mjaftonte t’i rrisnim fëmijët tanë”.
Moisiu: Depresioni pas lindjes prek 15% të grave
Rasti i mohimit të fëmijës është nga më ekstremet në depresionin pas lindjes. Shqetësimet post-partum prekin mbi 15 për qind të grave, ndërkohë që, sipas mjekëve, 10 për qind e këtyre fundit shkon deri në vetëvrasje. Duke komentuar ngjarjen e Vlorës, drejtoresha e maternitetit “Koço Glozheni” në kryeqytet, Rubena Moisiu, thotë se ka pasur ngjarje të ngjashme edhe më parë, ndonëse shumica e nënave nuk kanë shkuar deri në aktin ekstrem. ”Shfaqet nga 8 deri në 15 për qind të grave që lindin, është një shifër që nuk është e vogël. 10 për qind e këtyre grave kanë ide vetëvrasjeje. Shenja më e rëndë që mund të shfaq është mohimi i fëmijës, gjë e cila mendoj që ka ndodhur në rastin konkret”, - pohon Moisiu. Sipas saj, shkaktarët e depresionit pas lindjes janë multidimensionalë, sa fizikë aq dhe socialë. Ndër më të shpeshtët janë ndryshimet hormonale, por edhe frika nga të bërit nënë. “Akuzohen shumë ndryshimet e mëdha hormonale menjëherë pas lindjes, ka një rënie të të gjitha hormoneve të shtatzënisë, po gjithashtu akuzohet dhe fakti i frikës së të qenit prind. Varfëria akuzohet, frika se me se do e ushqej këtë fëmijë pasi të shkoj në shtëpi”, - shpjegon drejtoresha e Maternitetit të Ri. Në dy maternitetet e kryeqytetit ka dy klasa të posaçme për kujdesin e nënës, për t’u ndjekur gjatë shtatzënisë. Mjekët dhe psikologët u mësojnë atyre të gjitha ndryshimet fizike dhe mendore. Por, sipas mjekëve, interesi i nënave shqiptare është i pakët, pasi mungon kultura e përgjithshme mjekësore.