Ish-bashkëshorti masakron për 1 vazo 32-vjeçaren e “mbrojtur” nga gjykata
Tiranë Një 32-vjeçare e detyruar të ndante një çati me ish-bashkëshortin e saj dhe gruan e tij të re është masakruar dje për vdekje në Shkozë të Tiranës. Viktima është Servete Karoshi, nënë e dy fëmijëve, ndërsa policia ka firmosur urdhër-arrestin për ish-bashkëshortin e saj Haki Karoshi, i vetëdorëzuar në polici pas krimit. Burime nga policia bëjnë me dije se Servete Karoshi (Çajkri) jetonte në të njëjtën banesë me ish-burrin, edhe pas divorcit, pasi Gjykata e Tiranës i kishte dhënë të drejtën e pronësisë në një dhomë të familjes Karoshi. Ndaj edhe konfliktet mes tyre kanë ardhur duke u rritur pas divorcit, çka solli edhe masakrën e djeshme. Ka qenë vetë autori i ngjarjes, i cili është dorëzuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Forca të shumta policie kanë mbërritur pranë banesës së familjes Karoshi, e cila ndodhet në kodrat e Shkozës, ku janë përballur me trupin e masakruar dhe të pajetë të nënës së dy fëmijëve. Pas verifikimeve të kryera nga ekspertët hetimorë, trupi i pajetë i Servete Karoshit është dërguar në ambientet e morgut dhe i është nënshtruar autopsisë. Nga ana tjetër, janë shoqëruar për në ambientet e Policisë së Tiranës nëna e autorit dhe dy motrat e tij, të cilat pritet të japin deklarimet e tyre në lidhje me ngjarjen. Nga ana tjetër, vetë Haki Karoshi ka deklaruar përpara forcave të policisë, në momentin e dorëzimit, se konflikti ishte ndezur për një vazo lulesh, të cilën ish-gruaja e kishte prishur. Mësohet se prej vitesh ata kishin konflikte të vazhdueshme e mes tyre, për faktin se ish-bashkëshorti i saj jetonte në të njëjtën banesë me gruan e re dhe debatet mes tyre ishin të përhershme. Ditën e djeshme, ka qenë bashkëshortja e autorit e cila i ka vënë në dukje faktin se ishte prishur një vazo lulesh, duke akuzuar ish-bashkëshorten e tij. Në këto momente autori ka marrë një thikë dhe ka shkuar në dhomën ku qëndronte viktima dhe ka nisur ta godasë atë në të gjithë trupin, si dhe duke i prerë fytin. Gjithashtu, ai e ka goditur dhe me mjete të forta në trup, duke i shkaktuar dëmtime të shumta 32-vjeçares, e cila mësohet se ka humbur jetën menjëherë. Pas ngjarjes, Haki Karoshi është drejtuar për në ambientet e Policisë së Tiranës, ku dhe është vetëdorëzuar duke pranuar krimin. Konfliktet e shpeshta mes viktimës dhe autorit kanë ardhur pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila i jepte të drejtë Servete Karoshit (Çajkri) që të qëndronte në banesën e ish-bashkëshortit të saj dhe të kishte në pronësi një dhomë. Edhe pse viktima i është drejtuar sërish Gjykatës së Tiranës për të kërkuar urdhër-mbrojte, sërish kërcënimet dhe dhunimet nuk kanë munguar nga ana e ish-bashkëshortit, por edhe e dy motrave të tij dhe nënës së autorit. Në vendimin e datës 11 dhjetor 2009 për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, thuhet se Servete Karoshi (Çajkri) ka deklaruar se dhuna fizike dhe psikologjike ndaj saj ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë jetesës bashkëshortore. Gjatë kësaj seance gjyqësore viktima kishte deklaruar se që në muajin korrik 2009 ishte larguar nga banesa bashkëshortore dhe nuk lejohej që të hynte aty, për të takuar dy fëmijët e mitur. Nga ana e tij, autori, në dhjetor të 2009 nuk ka pranuar të kishte ushtruar dhunë qoftë fizike apo psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Ai ka deklaruar se shkak për këtë dhunë është sjellja e viktimës, duke e akuzuar atë për një lidhje jashtëmartesore në punën e saj, duke paraqitur si provë edhe një letër të gjetur në çantën e saj në korrik të 2009-s. Gjykata pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, vendosi të lëshojë urdhrin e mbrojtjes ndaj Servete Karoshit, duke detyruar Haki Karoshin që të mos ushtronte dhunë ndaj saj dhe ta lejonte atë që të hynte në banesën e përbashkët. Vetëm dy muaj përpara këtij vendimi, një tjetër padi ishte regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku këtë herë ishte Haki Karoshi, i cili kërkonte divorcin nga viktima, duke kërkuar që të kishte në kujdestari dhe dy fëmijët e mitur. E ndërsa konfliktet ia linin vendin njëri-tjetrit, ditën e djeshme ka ndodhur edhe goditja fatale ndaj 32-vjeçares, e cila u masakrua për vdekje.