E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa përgjigje që duhen për të bërë diferencën

Nga Mero Baze

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Aleksandër Meksi, do të udhëheqë koalicionin e ri të së djathtës nën siglën e Polit të Lirisë. 19 vjet pas Lëvizjes së Dhjetorit, ish- kryeministri, Aleksandër Meksi, dhe dy ish-zëvendëskryeministrat e tij, janë bashkuar për të bërë diferencën mes së djathtës dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës.

Së bashku me Meksin në Polin e Lirisë janë bashkuar shoqatat më të rëndësishme të ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, duke i dhënë këtij koalicioni një identitet të qartë politik të djathtë.

Por që Poli i Lirisë t’i funksionalizojë interesat elektorale të së djathtës, duhet të qartësojë disa qëndrime publike për të zgjeruar rrjetin e interesit që duhet të tregojë për ta shoqëria. Duke qenë një koalicion i djathtë konservator, ky koalicion duhet të qartësojë kushtet, me të cilat do të pranonte të bashkonte votat me Sali Berishën. Dhe këto kushte realisht janë të gjitha arsyet përse ata janë sot më vete nga Sali Berisha në këtë fushatë elektorale.

Së pari, ky koalicion duhet të mobilizojë të djathtën për të qenë faktor në kushtëzimin e Sali Berishës si kryeministër, nëse nuk pranon versionin e kësaj force politike për pronat dhe të përndjekurit politikë. Skema e kompensimit dhe kthimit të pronave që ka shpalosur Dashamir Shehi në emër të LZHK është një skemë realiste, me faturë më të ulët se spekulimi aktual, më pak etatiste dhe më shumë shpresëdhënëse. Poli i Lirisë duhet ta qartësojë se kryeministri i koalicionit partner duhet të respektojë atë projekt për kthimin e pronave. Poli i Lirisë po ashtu duhet të bëjë publik projektin e vet për të kompensuar të persekutuarit politikë, të cilat janë futur në ingranazhin e spekulimit kohor dhe burokratik për kompensimin e viteve të tyre të burgut. Këto dy kategori aleate me Polin e Lirisë duhet të kenë doemos sigurinë se koalicioni i tyre do të jetë një siguri në detyrimin e partisë në pushtet për ta çuar pronën tek i zoti dhe për të rehabilituar financiarisht dhe moralisht ish-të persekutuarit politikë.

Por ky koalicion duhet nga ana tjetër të ketë dhe një mision politik. Ai duhet të deklarojë qëndrimin ndaj rizgjedhjes së mundshme të presidentit, ndaj një kandidati të ri për kryeministër, ndaj frenimit të sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë dhe medies dhe mbi të gjitha duhet të vendosë kushte që në kabinetin e ri të mos përfshihen ministra që janë akuzuar në këtë mandat për korrupsion.

Këto garanci duhet të jenë publike, jo vetëm si taktikë elektorale, por si qëndrime që zgjerojnë spektrin e interesave për Polin e Lirisë. Nëse e djathta shikon në horizont një pakicë bllokuese për revanshin e Berishës dhe kalamajve të tjerë, shumica të shkuar nga e majta në PD, atëherë interesi për të do të rritet. Në të kundërt, ajo rrezikon të mos ngjallë frymë politike.

Duke qenë një koalicion me mundësi shumë herë më të mëdha për konkurrim se koalicioni i PD apo PS, Poli i Lirisë nga ana tjetër po prodhon një model të kundërt nga ai i PD në prag të kësaj fushate. PD po hyn në fushatë me emrin, veprën dhe familjen e Sali Berishës në krye. Bilanci politik i Berishës brenda PD është më i keqi i gjithë historisë së asaj partie. Për katër vite asnjë strukturë politike e PD nuk funksionoi dhe në prag të zgjedhjeve ai u detyrua të shtynte zgjedhjet e brendshme duke shkatërruar përfundimisht çdo normë dhe rregull loje për karrierë politike. Brenda 19 viteve ajo parti ka prodhuar rreth 200 anëtarë kryesie apo rreth 2 mijë të zgjedhur në forumet drejtuese, çka dëshmon mungesën e respektit për karrierën e veprimtarëve të saj. Duke shkuar drejt zgjedhjeve pa zgjedhje, PD po shkon drejt betejës me probleme të mbuluara, por të pazgjidhura. Modeli i Polit të Lirisë është i kundërti i modelit të PD në këtë prag fushate dhe kjo mund t’i prodhojë asaj probleme. Shenjat e para të nervozizmit janë shfaqur dje në medien e PD, ku gazeta e botuesit që ndërtoi Gërdecin filloi etiketimin e liderëve të këtij koalicioni. Po ashtu, dje gjatë takimit në Durrës, mbështetës të PD shkarravitën muret me parulla kundër Polit të Lirisë, çka tregon ndjeshmërinë që ka prodhuar te lidershipi i PD dalja në skenë e këtij koalicioni.

Duke qenë një koalicion moral, dhe aspak përgjegjës për keqqeverisjen e Berishës, Poli i Lirisë ka nevojë të zgjerojë interesat e veta dhe tek ajo pjesë jo e vogël brenda PD, e cila nuk e ka prekur pushtetin këto katër vjet, për shkak të bujtjes në PD të shumë “kollovarëve” nga e majta dhe një brezi interesaxhinjsh që e panë këtë mandat si shans për licenca, koncesione dhe pasuri nga paratë publike të shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›