Korrupsioni në shëndetësi, skandal me kredinë austriake
Në vazhdën e skandaleve që gazeta “TemA” ka publikuar në lidhje me korrupsionin në sistemin shëndetësor, spikat i ashtuquajturi “tender” i aparaturave mjekësore për spitalin universitar të sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi”.
Megjithëse bëhet fjalë për një kredi tregtare të butë dhënë nga qeveria austriake për popullin shqiptar, çuditërisht qeveria shqiptare vendos që tenderi të bëhej në Austri sipas rregullave të prokurimit austriak.
Specialistët ligjorë dhe ata në fushën e shëndetësisë thonë se një gjë e tillë është totalisht në kundërshtim me tenderët e zhvilluar më parë nga qeveritë e tjera të huaja që kanë akorduar kredi për Shqipërinë. Këtu mund të përmenden tenderët e Cooperazione italiana që janë zhvilluar gjithmonë në Shqipëri me supervizionim, sigurisht me të drejtë të specialistëve italianë. Bëhet fjalë për tenderë të tillë si tenderi i neurokirurgjisë, poliambulancat e Tiranës, sistemi i urgjencave etj.
Por duhet theksuar se në rastin e Italisë bëhet fjalë për kredi politike e jo për kredi tregtare. Duke qenë se këto lloj kredish ndryshojnë nga njëra-tjetra, është afërmendsh që për një kredi tregtare, fuqia e vendit huadhënës të ulet e të rritet fuqia e vendit huamarrës.
Pikërisht këtu merr zanafillë skandali, për shkak se tenderi, jo vetëm që është organizuar në Austri, por i vetmi njeri që ka shkuar atje nga qeveria shqiptare është Rezart Oketa, djali i xhaxhait të ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili, në kohën kur u kalua kjo kredi dhe vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, ishte zëvendëskryeministër.
Burime thonë se Oketa ishte i vetmi person që mbante lidhje me konsulentin austriak, dhe për të mbajtur të fshehtë gjithë këtë skandal korruptimi, shkoi i vetëm në Austri.
Që tenderi të bëhet sipas rregullave të prokurimit austriak nuk do të thotë që të mos ketë specialistë shqiptarë, nuk do të thotë që të bëhet në mënyrë klandestine ndaj popullit shqiptar. Por, për këtë tender nuk u botua në asnjë nga gazetat shqiptare asnjë fjalë, ashtu siç bëjnë të gjitha vendet e tjera që i japin kredi Shqipërisë.
Specialistët thonë se nuk ndodh në asnjë vend të botës që specifikimet teknike të vendosen nga konsulentët dhe të mbahen sekrete pa u aprovuar nga mjekët që do i përdorin këto aparatura.
Ata ngrenë të tjera pikëpyetje për këtë skandal. Sipas tyre, konsulentët janë sjellë “sikur Shqipëria është një fis afrikan që ndodhet në ndonjë xhungël, sepse asnjë mjek nuk di gjë për këto specifikime”.
Specialistë thonë se, edhe nëse konsulentët i kanë marrë ndonjë firmë drejtorit ose nëndrejtorit të spitalit, atëherë lind e drejta të mendohet se ata janë bashkëfajtorë në këtë korrupsion.
Burimet thonë se çmimet e aparaturave janë sa dyfishi i çmimeve që janë sot në treg.
Ndërkohë, ato shtojnë se aty ka thjesht teknologji normale dhe nuk ka nevojë që shteti shqiptar të harxhojë pará për të bërë trajnim me buxhete marramendëse. Mjekët e sanatoriumit i kanë kaluar ato faza dhe kanë bërë kurse trajnimi tashmë në spitalet më të mira të Evropës me teknologji të fjalës së fundit dhe nuk presin nga një firmë tregtare, cilado qoftë, që të paguajë për t’i mësuar këto aparate.
Burimet thonë se këto firma nuk planifikojnë buxhete të tilla, kur i shesin këto aparate në Shqipëri për kompanitë private, por këto planifikime bëhen vetëm kur ka tenderë të tillë të fshehur, ndoshta për të justifikuar buxhete që askush nuk di se ku shkojnë.
Si gjithmonë, të tilla skandale bëhen me shpejtësi në momentin e duhur për të vjedhur, në momentin e fushatës zgjedhore.
Specialistët thonë se shteti austriak duhet të ndërhyjë në këtë drejtim që të mos cilësohet palë në një aferë korruptive, duke kërkuar që tenderi të anulohet dhe më pas të rishpallet, duke u zbatuar të gjitha procedurat ligjore e duke u bërë modifikimet e nevojshme, në mënyrë që paratë e kredisë të shfrytëzohen më së miri.
Precedenti i para disa ditëve
Dhjetë ditë më parë gazeta “TemA” publikoi një tjetër skandal me tenderët që bëhen në fushën e shëndetësisë nga shteti shqiptar.
Bëhet fjalë për tenderin për pajisjet e fazës së parë në QSUT “Nënë Tereza”, financuar nga qeveria shqiptare.
Bëhet fjalë për një tender që synon të favorizojë disa firma që janë parapërgatitur për të, ndërsa firmat e tjera në garë janë informuar për tenderin vetëm pak ditë përpara zhvillimit të tij.
“Ky tender ka dalë në mënyrë të ngutshme për t`u vjedhur dhe është i bërë keq. Thjesht ai duhet të anulohet, të rishikohet, të bëhet në dobi të popullit dhe jo për t’u vjedhur. Kështu shpjegohet edhe alarmi i drejtuesve të QSUT për ta mbaruar tenderin sa më shpejt para zgjedhjeve, pa mbaruar ndërtimi, pasi pas zgjedhjeve planet mund të prishen”, - kërkuan pjesëmarrësit në këtë tender.
Pellgu i pistë i shëndetësisë
Shpejtësia me të cilën po bëhen shumë tenderë korruptivë në këto momente është tipike. Prej rënies së komunizmit, periudha e fushatës zgjedhore është momenti i artë për të bërë tenderë korruptivë.
Shëndetësia është shembulli tipik i kësaj strategjie kriminale. Rastet që ka botuar gazeta “TemA” përbëjnë vetëm një pikë në pellgun e madh të shkeljeve që nuk po marrin përgjigje ligjore.
Ministrja aktuale mbërriti në këtë detyrë me premtimet se të paktën do arrinte të minimizonte efektet e korrupsionit në nivele të larta të shëndetësisë, pikërisht në tenderët e mëdhenj. Por e vërteta është se shëndetësia vazhdon të lëngojë, që nga ryshfeti më i vogël për mjekët e deri te tenderë të tillë milionësh.
E vërteta është se nuk ka patur dhe nuk është zbatuar kurrë një strategji e qartë për zhvillimin e shëndetësisë në vendin tonë. Ajo çka ka ndodhur është që në krye të ISKSH është vendosur një e afërme e kryeministrit që përbën lajm, vetëm kur nxjerr listën e barnave të rimbursueshme, ndërkohë që e ka rrënuar komplet këtë institucion, për shkak të nepotizmit dhe vjedhjeve në të.
Kurse Ministria e Shëndetësisë është kthyer në një plaçkë politike e kurrë nuk ka patur vëmendjen e mjekut kryeministër.
Tashmë, e vetmja armë në betejën elektorale të kryeministrit, Sali Berisha, në fushatë është argumenti se ka rritur disa për qind pagat e infermierëve dhe mjekëve, ndërsa reforma kërkonte të shkundej i gjithë sistemi.