Këshilltarët e Berishës, Zana Guxholli dhe Petraq Milo marrin licenca hidrocentralesh
Tiranë - Dy këshilltarët ekonomikë të kryeministrit Berisha, Petraq Milo dhe Suzana Guxholli, janë implikuar në konflikt interesi në një prej koncesioneve më të mëdha hidrike, duke përfituar nga koncesioni në bashkëpunim me një familjar të kryeministrit. Kjo histori u finalizua tri ditë më parë, kur qeveria shqiptare nënshkroi me konsorciumin “Interenergo Albania” marrëveshjen koncesionare për ndërtimin e 6 hidrocentraleve mbi lumin Shalë. Vlera e koncesionit është 145 milionë euro. Por verifikimi i të dhënave për firmën fituese tregoi se prapa këtij koncesioni kaq të kushtueshëm qëndrojnë këshilltarët, madje dhe familjarët e kryeministrit. Më konkretisht, konsorciumi fitues “Interenergo Albania” është krijuar në maj të vitit 2007 si bashkim i tri kompanive të ndryshme: “Interenergo Slovenia” (70 për qind), korporata “Dukagjini” e Kosovës (20 për qind) dhe “Euroconsulting” e Kosovës (10 për qind). Ky konsorcium paraqiti në muajin gusht 2007 në Komisionin e Oponencës Teknike projektin e saj për koncesionin në lumin Shalë, ose i njohur ndryshe si koncesioni i “Tre Dukagjinëve”. Tre muaj më vonë, me Vendimin Nr. 757 të datës 7 nëntor 2007, të firmosur nga kryeministri Berisha, kësaj kompanie i jepet një bonus favorizues prej 9.5 pikësh avantazh për tenderin që do të zhvillohej për këtë koncesion.
Bonus për këshilltarët
Vendimi i kryeministrit ishte në dukje një dhënie bonusi, i bazuar në ligjin “Për koncesionet”. Por verifikimi i pronarëve të këtij konsorciumi tregon se në të vërtetë kryeministri ia dha bonusin konsorciumit në të cilin bashkëpronar ishte dhe një këshilltar i tij. Më konkretisht, firma “Euroconsulting” e Kosovës (10 për qind pronare në konsorcium) është një kompani konsulence tërësisht në pronësi të zotit Petraq Milo, këshilltarit për ekonominë të kryeministrit. Përveç evidentimit të tij si pronar te dokumentet autentike të firmës, zoti Milo e ka pranuar publikisht pronësinë mbi këtë firmë dhe në curriculum-in që ka shpallur në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Por surprizat nuk kanë fund. Një tjetër këshilltare ekonomike e kryeministrit ka shpallur në curriculum-in e saj zyrtar faktin se është drejtoreshë dhe menaxhere në këtë firmë. Këshilltarja në fjalë është zonja Suzana Guxholli, e cila është dhe koordinatore direkte dhe eksperte e zyrës së kryeministrit për të gjitha koncesionet që jepen në Shqipëri. Por ndonëse pronar fuqiplotë i firmës “Euroconsulting”, zoti Petraq Milo, nuk ka preferuar të lërë shumë gjurmë në dokumente. Ditën e krijimit në Tiranë të konsorciumit “Interenergo Albania”, për llogari të firmës bashkëpronare “Euroconsulting” ka nënshkruar, në cilësinë e “drejtorit të autorizuar”, një person i quajtur Zilif Lufi. Ky i fundit rezulton të jetë një zyrtar i lartë i administratës së Ministrisë së Financave të Kosovës.
Ia shesim kushëririt
Tenderi për koncesionin e “Tri Dukagjinëve” u zhvillua më 22 prill të vitit 2008. Por 20 ditë para zhvillimit të tenderit (më 2 prill 2008) brenda konsorciumit “Interenergo Albania” ndodhi një rikonfigurim i aksionerëve. Kësisoj, më 2 prill 2008, firma “Eurocnsulting”, në pronësi të Petraq Milos, ia shet aksionet (10 për qind) e saj ortakes “Interenergo Slovenia”. Në të njëjtën ditë, madje para të njëjtit noter (Agim Robo), firma sllovene (pasi bleu aksionet e “Euroconsulting”) i shet një firme të panjohur, të quajtur “Alb Ener Investments”, 20 për qind të aksioneve. Nga shqyrtimi i të dhënave zyrtare rezulton se firma e sapofutur në konsorcium, “Alb Ener Investments”, ishte krijuar vetëm tri ditë (themeluar më 29 mars 2008), para nënshkrimit të kësaj kontrate noteriale. Pronar i firmës “Alb Ener Investments” rezulton të jetë zoti Haxhi Bardhi, një biznesmen i vjetër, i cili është dhe kushëriri i parë i kryeministrit Berisha.
Me letrat gati
Tenderin e zhvilluar më 22 prill e fitoi konsorciumi “Interenergo Albania”. Por, në ndryshim nga konfigurimi i mëparshëm, ky konsorcium kishte ndryshuar një pjesë të ortakëve. Pjesën prej 10 përqindësh që zotëronte në fillim firma e këshilltarit Petraq Milo e mori ortakja e saj sllovene, e cila në të njëjtën ditë që bleu 10 për qind nga këshilltari, shiti 20 për qind te një biznesmen me lidhje të ngushta farefisnore me kryeministrin. Kompania e zotit Milo u tërhoq nga konsorciumi 20 ditë para zhvillimit të tenderit, por prezenca e saj deri në atë kohë duket se ka pasur një implikim domethënës. Zoti Milo dhe kolegia e tij, Suzana Guxholli, duke qenë këshilltarë ekonomikë të kryeministrit, kanë akses të madh në informacionin mbi zhvillimin e propozimeve dhe tenderave për koncesionet. Zoti Milo ishte ortak i konsorciumit kur ky konsorcium fitoi bonusin favorizues prej 9.5 pikësh. Po çfarë nënkupton fitimi i një bonusi për koncesionet? E thënë shkurtimisht, bonusi i jepet një kompanie që paraqet në departamentet qeveritare një projekt të sajin për shfrytëzimin e burimeve natyrore. Kompania që bën e para propozimin zakonisht avantazhohet nga pretendentët e tjerë për koncesionin. Ky avantazhim nuk është gjë tjetër veçse privilegj me disa pikë që ajo fiton nga bonusi. Por kush u avantazhua? U avantazhua pikërisht konsorciumi që projektin e vet e paraqiti para një zyrtari shtetëror, që në fakt ishte aksioner i konsorciumit.
Përgënjeshtrim mbi artikullin e gazetës Albania, datë 2 maj 2009, me titull “Dy këshilltarë të Berishës, sekserë në koncesione prej miliona eurosh”
Jam ndjere plotësisht e befasuar kur pashë se mëngjesin e ditës se shtunë, të datës 02.05.2009, gazeta e përditshme Albania më cilësonte si seksere në një koncesion, të miratuar pak ditë më parë. Në kundërshtim me të gjithë parimet e gazetarisë profesionale, pa më kontaktuar mua as në telefon, kjo gazetë ka marrë përsipër të drejtojë sulme dhe shpifje të paqena ndaj meje dhe është e qartë kjo për shkak të pozicionit publik që kam.
Dua të bej me dije publikun shqiptar që artikulli i sipërpërmendur është një gënjeshtër e madhe e radhës e asaj pjese mafioze të medias që abuzon me lirinë e shtypit, duke trilluar histori e bëma të paqena. Unë deklaroj, në përgjegjësinë time publike dhe ligjore, që nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë lloj lidhjeje me kompaninë “EuroConsulting” të Kosovës, për pasojë as me tenderin për hidrocentralet në lumin Shalë dhe me asnjë kompani tjetër që zhvillon aktivitet në territorin e Shqipërisë apo jashtë saj.
Në artikull thuhet se: “zonja Suzana Guxholli, e cila është edhe koordinatore direket dhe eksperte e zyrës së Kryeministrit për të gjithë koncesionet që jepen në Shqipëri, ka shpallur në curriculumin e saj zyrtar faktin se është drejtoreshë dhe manaxhere në këtë firmë.”
Gënjeshtra fillon me pozicionin tim zyrtar (që është këshilltare e Kryeministrit për ekonominë) për t’u finalizuar me mashtrimin e pabazë, duke e cituar si të ishte në CV time zyrtare, pozicioni i shpikur i administratores së firmës që për herë të parë e dëgjova nga trillimi i gazetës Albania. Fatmirësisht, falë standardeve të transparencës së qeverisë, për të cilën unë punoj, CV-a ime mund të lexohet në çdo kohë nga kushdo (në faqen e internetit të kryeministrisë: www.km.gov.al , Kabineti). Cilido në këtë adrese mund të marrë konfirmimin se ajo çka shkruhet në gazetë është një gënjeshtër e ulët dhe banale.
Procedurat dhe ligjet transparente në fuqi, të kësaj qeverie, i japin mundësi çdo qytetari të kontrollojë e bëhet me dije edhe nëpërmjet internetit, në QKR, (Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit me adresë: www.qkr.gov.al), METE, (Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me adrese www.mete.gov.al), mbi informacionin, dosjet dhe dokumentet përkatëse të çdo tenderi, kompanive pjesëmarrëse e aktiviteti të zhvilluar edhe sipas historisë se tyre.
Sa për gënjeshtrën tjetër që lë të nënkuptojë se aksesi në informacion që është pjesë e funksionit tim është keqpërdorur, botuesi dhe gazetari nuk ka përse të bëjë ngatërresa të tilla e të fantazojë për të prodhuar gënjeshtra të tjera, kur dihet që tek i gjithë informacioni për çdo tender e koncesion kanë akses të plotë të gjithë gazetarët, përfshi dhe ata të blerët e të manipuluarit, sikundër dhe i gjithë publiku shqiptar.
Duke parë gënjeshtrat, ku caku i shpifjeve nuk ka fund, vlerësoj se ky artikull është një luftë e hapur dhe goditje e turpshme ndaj personit tim dhe detyrës që unë kryej, që bëhet në kuadrin e fushatës elektorale nga pjesa e korruptuar e medias, e cila mbështet interesa mafioze të grupeve të caktuara politike dhe mediatike.
Reagim ndaj përgënjeshtrimit të zonjës Suzana Guxholli
E nderuara Zonja Guxholli!
Quhem Habjon Hasani, punoj si reporter në gazetën e përditshme “Albania”, jam autori i artikullit, datë 2 maj 2009, me titull “Dy këshilltarë të Berishës, sekserë në koncesione prej miliona eurosh”.
Pas publikimit të artikullit Ju keni reaguar më datë 2 maj 2009 duke përgënjeshtruar çdo lidhje Tuajën me firmën “Euroconsulting Group” të Kosovës. Këtë reagim e publikoi pjesërisht në të njëjtën datë dhe ditë Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Lidhur me artikullin tim, në përgënjeshtrimin Tuaj ju ngrini 2 pretendime:
1) Artikulli mashtron dhe manipulon duke pretenduar se Ju jeni “Këshilltare për Ekonominë e Kryeministrit”.
2) Artikulli mashtron dhe manipulon kur thekson se “Zonja Suzana Guxholli ka vetëdeklaruar në CV-në e saj publike në faqen Zyrtare elektronike të Kryeministrisë se është ‘Drejtoreshë dhe Menaxhere e firmës Euroconsulting”
Zonja Guxholli, për të dyja këto pretendime Tuajat, preferoj që sërish (sikurse në artikull) ti referohem dokumenteve dhe burimeve rreptësisht zyrtare dhe të provuara. Për këtë arsye po Ju dërgoj bashkëngjitur email-it 2 dokumente:
1) Faqen elektronike ZYRTARE të Këshillit të Ministrave (Dokument 1), ku ju rezultoni se jeni “Këshilltare për Ekonominë” e Kabinetit të zotit Kryeministër.
2) Faqen elektronike ZYRTARE të Këshillit të Ministrave (Dokument 2) ku në CV-në Tuaj personale është deklaruar funksioni Juaj si Drejtoreshë dhe Menaxhere e firmës “Euroconsulting Group”
E nderuar Zonja Guxholli, edhe në këto momente që po shkruaj këtë reagim (Dt. 2 maj 2009, ora 18:30) Ju ende rezultoni si Këshilltare Ekonomike në Kabinetin e Kryeministrit Berisha dhe në CV-në Tuaj vazhdon të deklarohet pozicioni Juaj si Drejtoreshë dhe Menaxhere e firmës “Euroconsulting Group” (gjithashtu e provuar dhe e dokumentuar)
E nderuar Zonja Guxholli jam treguar profesionalisht korrekt në referimin tim në faqen elektronike ZYRTARE të Këshillit të Ministrave, duke e konsideruar një burim absolutisht serioz, autoritar, dhe të vërtetë.
Nëse statusi Juaj në Kryeministri dhe CV-ja juaj e shpallur publikisht nuk përkon me realitetin, Ju duhet ta kërkoni përgjegjësinë në radhë të parë te vetja Juaj dhe te mirëmbajtësi i faqes ZYRTARE elektronike të Këshillit të Ministrave.
Nëse nuk e dinit, po ju vë në dijeni se nuk kam asnjë kontratë pune me Këshillin e Ministrave për të mirëmbajtur, verifikuar apo saktësuar CV-të e Kabinetit Kryeministror që shpallen në faqen zyrtare.
E nderuar zonja Guxholli, në letrën Tuaj përgënjeshtruese (të cilën gjithashtu e gjen bashkëngjitur) Ju më kini akuzuar pa paraqitur asnjë provë mbështetëse, se unë jam mafioz, paguhem nga interesa mafioze dhe se jam i motivuar dhe i pozicionuar në një fushatë antiqeveritare me shpifje dhe sulme në drejtimin Tuaj.
JU FTOJ TË SILLNI PROVA PËR KËTO PRETENDIME
E nderuar zonja Guxholli, unë jam thjesht një GAZETAR dhe bëj punën time.
Fatmirësisht asnjëherë nuk kam vetëshpallur në ndonjë faqe elektronike ZYRTARE përkatësinë time në ndonjë ambient mafioz.
Ju që e bëni këtë akuzë duhet të ma provoni, në të kundërt, pritshmëria ime për prova do soset shumë shpejt dhe Juve duhet t’ia çoni këto prova një Gjykatësi të paanshëm dhe të pavarur, pasi ky gjyqtar të ketë administruar padinë time për SHPIFJE në drejtimin Tuaj.
Me konsideratë
Habjon Hasani