Disiplina: Bilishti humb ndeshjen me Besëlidhjen

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së vazhdon të mos tolerojë asnjë ngjarje antisportive në kampionatet e niveleve të ndryshme në Shqipëri. Në mbledhjen e tij të ditës së martë, vendosi masa të ashpra për të gjitha incidentet e ndodhura, ku spikasin ato të ndodhura gjatë takimit të Kategorisë së Parë, Bilisht Sport-Besëlidhja, ku skuadra vendase braktisi ndeshjen dhe tifozët sulmuan gjyqtarët e takimit: Nase dhe Regi Avdo nga Tirana dhe durrsakun Elezi. Takimi i cili u ndërpre në minutën e 58-të kur rezultati ishte 3-0 për Besëlidhjen ( gola të : Prela 12', Arberi 56', Smajli 58') u vendos në tavolinë nga Disiplina me rezultatin 2-0. Skuadra e Bilisht Sport u ndëshkua edhe heqjen e 3 pikëve nga renditja e shoqëruar kjo dhe me një gjobë prej 300 mijë lekësh për braktisjen e lojës. Bilishti si "bisht" iu dha edhe një gjobë shtesë prej 100 mijë lekësh për hedhjen e sendeve të forta në fushë dhe ofendimit publik të gjyqtarëve. Në Kategorinë Superiore pati vetëm një ndëshkim. Lojtari i KF "Besa", Bikolo Nana për kryerje të gjesteve fyese ndaj arbitrit në ndeshjen Besa-Kastrioti, në bazë të nenit 26/7 te K.D.Sportive u dënua më 30 mijë lekë gjobë. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së morri një sërë vendimesh ndaj ngjarjeve në dhe futbollistëve të kategorive inferiore.
Ja dhe disa nga vendimet tjera të Disiplinës
1. Ekipi i "Albpetrol" për mosparaqitje në ndeshjen me ekipin e "Korabit", në bazë të nenit 23/3.d të K.D.Sportive humbet ndeshjen me rezultatin 2-0 dhe i hiqen 3 (tre) pikë nga klasifikimi.
2. Ekipi i Këlcyrës për aktivizim të lojtarit të pafederuar R.Merkohasani në ndeshjen me ekipin e Memaliaj në bazë të nenit 24/32 humbet ndeshjen me rezultatin 2-0.
3 Lojtarët Marin Xhelo i Dosmosdovës dhe Ermal Hoxha i Gramozit për lojë të rendë e të rrezikshme por pa shkaktuar pasoja shëndetësore, në bazë të nenit 26/8 të K.D.Sportive dënohen me nga 5000 lekë gjobë secili.