Disiplina i jep fitoren Skënderbeut

www.albania-sport.com- Komisioni i Disiplinës i dha fitoren 2-0 në tavolinë Skënderbeut pas ndeshjes së ndërprerë në minutën e 75-të me Gramozin në Ersekë, si pasojë e hedhjes së sendeve dhe mjeteve të tjera të forta në fushë që ka dëmtuar fizikisht arbitrin deri në atë masë sa e bëri të pamundur vazhdimin e gjykimit të ndeshjes.
Gramozi u dënua edhe me katër ndeshje pa shikues, çka do të thotë se ndeshja kundër Skënderbeut për tifozët kolonjarë ishte e fundit që ata shikonin në fushën e qytetit të tyre në sezonin e parë historik të skuadrës së tyre në Kategorinë Superiore. Kjo është hera e tretë brenda këtij sezoni që fusha e Gramozit pezullohet,
Në fakt vendimi i Disiplinës pritej, pasi dhe Federata Shqiptare e Futbollit menjëherë pas incidenteve doli me një deklaratë të ashpër, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve, tifozëve, lojtareve dhe drejtuesve te klubeve të futbollit që të distancohen nga veprime të tilla jo normale që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën e bukur të futbollit.
TRE DËNIMET NDAJ GRAMOZIT
8 dhjetor 2009
Komisioni i Disiplinës pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e Gramozi-Laçi (1-2, java 13, Kategoria Superiore) dënoi ekipin e Gramozit për të zhvilluar tri ndeshje pa shikues. Lojtarët kolonjarë ushtruan dhunë deri në atë pikë sa lojtari i Laçit, Jetmir Nino, ra pa ndjenja në hyrje të dhomave të zhveshjes.
24 shkurt 2010
Komisioni i Disiplinës për shkak të dhunës së ushtruar ndaj arbitrave në përfundim të takimit Gramozi-Vllaznia (1-1, java e 22-të e Kategorisë Superiore) pezulloi dy ndeshje fushën e Gramozit dhe përjashtoi përgjithmonë nga aktivitetet futbollistike zëvendëstrajnerin Altin Hodo
31 mars 2010
Komisioni i Disiplinës si pasojë e hedhjes së sendeve dhe mjeteve të tjera të forta në fushë gjatë ndeshjes Gramozi-Skënderbeu (java 25) e që ka dëmtuar fizikisht arbitrin deri në atë masë sa e bëri të pamundur vazhdimin e gjykimit të ndeshjes pezulloi fushën e Gramozit me katër ndeshje pa shikues.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Merkure, 31 Mars 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili