E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplina përjashton Tepelenën dhe Albpetrolin

Largimi i presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, nga Shqipëria, e riktheu futbollin shqiptar në realitet. Pikërisht në ditën kur ish-legjenda e futbolli francez zbriti në Tiranë (të martën më 11 nëntor), Tepelena dhe Albpetroli nuk u paraqiten në ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

Arsyeja ishte e thjeshtë: situata tejet e rënduar financiare e klubeve inferiore (për të cilën Platini di shumë pak, ose aspak).

Megjithatë, Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk i mori parasysh problemet me fondet për futbollin dhe zyrtarizoi përjashtimin e këtyre skuadrave për sezonin e ardhshëm, nga aktiviteti i dytë për nga rëndësia në vend.

“Ekipet Albpetrol dhe Tepelena, për mosparaqitje në ndeshjet e Kupës së Republikës (respektivisht me Dinamon dhe Partizanin), në bazë të neneve 23/3 a, c të Kodit të Drejtësisë Sportive, humbasin 2-0 në tavolinë dhe përjashtohen nga pjesëmarrja në edicionin e ardhshëm”, citohej në procesverbalin e Disiplinorit.

Një tjetër vendim i komisionit të Federatës së Futbollit ishte edhe pezullimi me dy ndeshje për lojtarin e Bylisit, Johan Driza. Masa ndëshkimore është marrë për ofendim të gjyqtarit të ndeshjes dhe shoqërohet me 30 mijë lekë të reja gjobë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›