Disiplina shpall Skënderbeun kampion!
Ndodhi ajo që pritej, ndonëse FSHF kërkoi të fitonte kohë me 5 ditë hetime, që në fakt nuk prodhuan asgjë ndryshe nga sa ishte raportuar që në mbledhjen e parë. Madje, Laçi është dënuar më pak nga sa disiplina kishte bërë mend javën e shkuar. 2 ndeshje pa tifozë dhe një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra është ndëshkuar skuadra kurbinase. Flamurtari ka përë kështu t’i venitet shpresa për titull kampion, duke e shndërruar atë që cilësohej si finale e parakohshme, në një takim rutinë. 4 pikët avantazh të korçarëve (sfida e fundit me Elbasanin është vetëm një formalitet), e bëjnë transfertën e Vlorës të pavlerë për emocionet titull. Ndonëse kuqezinjtë e nisën shumë mirë kampionatin duke akumuluar një diferencë prej 7 pikësh me Skënderbeun, ata lëshuan terren ndaj korçarëve që pas humbjes në ndeshjen e fazës së dytë në Korçë, dhe tashmë e shohin vetem matematikisht larg titullit kampion. Në Vlorë do të jenë hidhëruar pa masë për vendimin e disiplinës, por në Korçë duhet të kenë nisur festimet për titullin e dytë kampion, të parin që pas vitit 1933.
Flamurtari kishte kërkuar fitoren në tavolinë pasi në sfidën Laçi-Flamurtari, portieri Shpëtim Moçka u godit në kokë, ndërkohë që sfida u ndërpre për më shumë se 40 minuta përpara se të riniste për t’u mbyllur me rezultatin 1-1. Pas këtyre ngjarjeve, Flamurtari kishte depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit kërkesën për të marrë tri pikët në tavolinë, por sipas Komisionit të Disiplinës, incidentet nuk kanë qenë në limitet që rregullorja parashikon dhënien e rezultatit në tavolinë. “I mbajtur sot (dje), më datë 3 maj 2011, Komisioni i Disiplinës vendosi: Mos pranimin e kërkesës ankimore të KF “Flamurtarit” për marrjen e pikëve të ndeshjes Laçi – Flamurtari në tavolinë si të pabazuar në parashikimet e Kodit të Disiplinës Sportive. Në bazë të fakteve të mbledhura nga hetimi i kryer nga Inspektorët e Disiplinës, ka patur hedhje të fishekzjarreve në drejtim të lojtarit të “Flamurtarit”, por që nuk kanë shkaktuar dëmtime të atilla që mund të vinin në rrezik shëndetin e lojtarit dhe as shkaqe për ndërprerjen e ndeshjes për këtë veprim, sado i dënueshëm si i tille. Për këto arsye, duke qënë se rasti nuk ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes dhe as në vijimin e mëtejshëm të saj pas ndërprerjes, nuk janë ekstremet e parashikuara nga KDS për dhënien e pikëve në tavolinë.
KF “Laçi” për hedhje të fishekzjarreve në fushë me pasojë dëmtimin e lojtarit kundërshtar dhe ndërprerjen e lojës për më shumë se 40 minuta, në bazë të neneve 65, 66 e 67 të KDS dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e shikuesve dhe 500.000 lekë gjobë.” thuhet ne vendimin që ka publikuar disiplina e FSHF-së.