E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pisha: Më thanë të toleroj me Skënderbeun!

Arjan Pisha, prej mëse një dekade është lojtar i Dinamos dhe prej disa vitesh kapiten i formacionit blu. Në fakt, duhet thënë “ish”, pasi prej dy javësh, elbasanasi është larguar nga ekipi pas mosmarrëveshjeve me drejtuesit e Dinamos. Megjithatë, të hënën në mbrëmje në emisionin “Procesi Sportiv”, Pisha ka vendosur të tregojë disa nga situatat që e kanë detyruar të heqë dorë nga fanella blu, ndonëse në një moment aspak të përshtatshëm, pasi kampionia e sezonit të shkuar po lufton për të mos rënë nga kategoria, madje, ish-kapiteni i Dinamos dukej skeptik në lidhje me mundësitë reale të skuadrës kryeqytetase për të mbijetuar, pasi nga ana e drejtuesve nuk po bëhet asgjë që situata të ndryshojë. “Unë kam vendosur të flas, porn ë një farë mënyre po bëhem kurban, - ka nisur të flasë Pisha, dukshëm në siklet për ato që po deklaronte -. Dinamo ka shumë probleme, aq shumë sa juve nuk ju shkon në mendje (i drejtohet panelit të të ftuarve). Është e vërtetë që me Skënderbeun është toleruar, nga ana ime si lojtar jo, por është e vështirë të motivosh një skuadër ku ka 8 lojtarë të huaj që nuk e ndjejnë fare peshën e fanellës së Dinamos dhe që nuk zbresin as në stërvitje nëse nuk marrin paratë.” Thënë këtë, Pisha futet dhe më thellë në krizën blu. “Përse më larguan? Më akuzuan sepse sipas tyre kam toleruar me Flamurtarin. Diçka e tillë nuk ka ndodhur, por u thashë drejtuesve, përse nuk më largoni për tolerimin me Skënderbeun? Është e vërtetë që Dinamo këtë vit ka lënë shumë pikë rrugës me ndeshje ku normalisht duhej të fitonte dhe situata ku është tani është vërtet e keqe. Më duket se duan që Dinamo të bjerë nga kategoria,” thotë me vështirësi Pisha, të cilit karrigia ku është ulur nuk i duket aspak komode, por kjo sepse ai është vërtet i mërzitur për atë që po ndodh te klubi blu. “Mos kujtoni – vijon ai – se drejtusve, që thonë se në kaq vjet kanë hedhur 10 milionë euro te Dinamo, u dhimbset klubi më shumë sesa më dhimbset mua. Kam kaq ditë që jam shkëputur nga skuadra, por vijoj ta pi kafenë me ish-shokët e ekipit, të cilët më thonë se kanë mbetur si jetimë sepse asnjë prej drejtuesve nuk ka shkuar qoftë t’u premtojë se do të marrin paratë e prapambetura.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›