Diskotekë në fshat?!
Kuajt fitues të zhvillimit shqiptar për të paktën pesë vitet në vijim do të jenë turizmi dhe zhvillimi rural. Ndërtimi e kapi pikun e vet në vitet e mëparshme dhe nuk ka ku të shkojë. Turizmi vjet solli rreth 970 milionë euro dhe parashikohet ta kalojë miliardin për këtë vit. Zhvillimi rural (pra i zonave jashtë qyteteve) nuk është thjesht bujqësia. T’i thuash Bashkimit Evropian se po përpiqesh si qeveri të rrisësh prodhimin bujqësor, BE-ja të thotë “mirë”, por nuk ndihet i entuziazmuar. Kjo, pse ka problemet e veta me tejprodhimet bujqësore të 27 vendeve anëtare. Ka shumë siklete me shtrëngesat që vendos në numrin e rrënjëve të reja të ullinjve, për shembull për Spanjën, Francën apo Greqinë. Por kur me Brukselin flet për zhvillim rural, për bërjen më tërheqëse të jetës përtej qyteteve (pra në zonat rurale), atëherë BE-ja entuziazmohet. Dhe është gati të ofrojë para për projektet e tua. Kjo, kuptohet, jo menjëherë. Bashkimi Evropian ka një politikë të përbashkët të zhvillimit rural, si dhe një fond të përbashkët për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të quajtur EAFRD. Ky fond menaxhon sasi gjigande parash. Mjafton të kujtojmë se mbi 60 për qind e buxhetit të Bashkimit Evropian (që ka një shifër vjetore rreth 120 miliardë euro) kanalizohet për zhvillimin rural të 27 vendeve të tij anëtare, por një pjesë edhe për vendet kandidate apo aspiruese për anëtarësim në BE. Struktura kryesore që jep fondet e zhvillimit rural është programi IPARD. Që Shqipëria të arrijë të përfitojë nga fondet e IPARD-it, duhet të ketë gati disa struktura, si koordinatorin kombëtar, zyrtarin kompetent të akreditimit (certifikimit), zyrtarin e autorizuar kombëtar, fondin kombëtar për zhvillimin rural, autoritetin menaxhues, agjencinë e pagesave dhe autoritetin e auditimit (kontrollit), si dhe të marrë statusin e vendit kandidat. Struktura më e rëndësishme është agjencia e pagesave dhe kjo strukturë nuk ngrihet dot brenda një dite. Duhen shumë përpjekje dhe njohuri. Dhe mbi të gjitha, lypset që vëmendja e qeverisë sonë të kthehet nga zhvillimi rural. Deri tani në Ministrinë e Bujqësisë (e cila, me këtë rast ia vlen të marrë edhe emrin Ministri e Zhvillimit Rural) ndodhet një Drejtori e Politikave Rurale, me specialistë që numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë. Ndërkohë kur vetëm Maqedonia ka rreth 30 specialistë të zhvillimit rural në ministrinë përkatëse. Gjëja e parë që lypset të bëhet në buxhetin e shtetit 2009 është të parashikohet një trupë specialistësh të zhvillimit rural, të paktën njëzet veta. Këta mund të shpërndahen në drejtori të ndryshme, por duhet t’i shërbejnë me kohë të plotë zhvillimit rural. Ndryshe, rreth 20-30 milionë euro të gatshme nga fondet IPA për vitet 2008-2010 për Shqipërinë për institucionalizimin e zhvillimit rural “mërdhijnë”, avullojnë. Por çfarë do të bëjnë këta specialistë, ky “tru rural”? Pikë së pari, të largojë vëmendjen e politikëbërësve të sotëm vetëm tek bujqësia. Fshati nuk është vetëm prodhim domatesh apo frutash. Bashkimi Evropian mbështet marrjen e parave në fshat nga aktivitete jashtë sferës së bujqësisë. Për shembull, turizmi rural. Çdo projekt i këtij turizmi (Thethi, fshatrat karakteristike në Korçë, Dibër, Berat etj.) mund të fitojë qindra mijëra euro nga fondet IPARD, nëse drejtohet nga zhvillimi i aktiviteteve jashtë fermës. Një shembull që shumë vetëve mund t’u duket pothuajse skandaloz: ndërtimi i një diskoteke në fshat. Kjo ka ndodhur në Kroaci dhe IPARD dha 60 mijë dollarë. “Po pse diskotekë në fshat?”, - mund të pyesë shumëkush. Përgjigjja është e thjeshtë. Pse kjo strukturë është thelbësore për rininë e sotme dhe nevojat e saj. Një miku im avokat kishte kursyer mjaft para dhe bleu një vilë në Golem. Ishte kaq i ekzaltuar nga kjo, sa kërkonte t’ia tregonte si surprizë djalit të tij të vetëm. Ëndërronte që në lëndinën pak metra katrore përpara vilës së vet të luante me të birin 17-vjeçar. Por ky i fundit, kur mori ofertën, e pyeti menjëherë: “Babi, a mund të kthehemi pasdite në Tiranë?”. Kjo, sepse shoqëria e tij shkonte në diskotekat e Tiranës mbrëmjeve. Dhe nuk ka asgjë skandaloze të mendosh që për të mbajtur rininë në fshat, të ndërtosh edhe aty diskoteka. Për nisma të tilla ata të Brukselit i ke kurdoherë mbështetës. Prandaj na duhen strukturat e reja të zhvillimit rural. Mjafton edhe një fakt tjetër i thjeshtë: Të rinjtë këto ditë të nxehta gushti preferojnë të shkojnë në Dhërmi, por kurrsesi jo në Himarë, pa marrë fare parasysh bukuritë natyrore të Himarës. Kjo, pse në këtë të fundit nuk ka diskoteka, kurse Dhërmiu e ka një pub.
Fatos Çoçoli
Fatos Çoçoli