Diskualifikohet ‘Falja e gjakut’

Përzgjedhja shqiptare për garën për çmimin Oscar në gjuhë të huaj, ‘Falja e gjakut’ i regjisorit amerikan Joshua Marston, është diskualifikuar pasi Akademia vendosi se nuk ka mjaft të dhëna vendore.
Filmi i Marston-it, i xhiruar në shtetin ballkanik me një ekip të madh vendor, ka të bëjë me ndikimin modern të traditës së gjakmarrjes në vend.
Me një skenar fitues të çmimit Ariu i Argjendtë në Berlinale, i cili është bashkëshkruar nga një shqiptar dhe me dialog që është i tëri në gjuhën shqipe, filmi u nominua në fund të shtatorit pasi një komision shqiptar i Oscarit verifikoi se i përmbush kriteret e Academy Award.
Por pasi regjisori i filmit ‘Amnistia’, një prej tre filmave tjerë vendorë që dështuan të kalojnë, u ankua, Akademia e rishikoi çështjen javën e kaluar dhe vendosi ta diskualifikojë filmin ‘Falja e gjakut’.
Bujar Alimani ka shkruar një letër formale të ankesës ndaj Qendrës Kombëtare Shqiptare të Kinematografisë, duke kërkuar që filmi i Marston-it të diskualifikohet mbi bazë të asaj që është prodhim kryesisht amerikan.
Kjo duket se ka gjetur një shënjestër në Los Angeles, ku një këshill i Academy Awards u mor vesh të rishikojë vendimin dhe e diskualifikoi filmin e Marston-it javën e kaluar në bazë të asaj se ka dështuar të plotësojë kriteret e përbërjes së ekipit vendor.
Në një takim të premten në Tiranë, përzgjedhësit shqiptarë të Oscarit që përfshinin të gjithë pos njërit nga këshilli që fillimisht e kishte përzgjedhur filmin e Marston-it, bënë një votim tjetër dhe ‘Amnistia’ u përzgjodh zyrtarisht si nominim i vendit për filmin në gjuhë të huaj.
Këshilli përbëhej nga profesionistët e industrisë së filmit, Esat Musliu, Bujar Lako, Durim Neziri dhe Agron Tufa por jo edhe shkrimtari Teodor Laço.
“Njëri prej anëtarëve të bordit që ishte shprehur për filmin ‘Falja e gjakut’, shkrimtari Teodor Laço, nuk qe i pranishëm në takim për arsye personale”, tha për Variety një burim nga industria e filmit në Tiranë.
Vendimi në L.A. për ta anuluar nominimin e mëhershëm nuk u prit mirë nga disa në Tiranë.
Artan Minarolli, udhëheqës i QKK-së, tha për Variety: “Bordi në Shqipëri votoi për ‘Faljen e gjakut’ për disa arsye. Më të rëndësishmet janë: Filmi është 100 përqind në gjuhën shqipe. Tregimi dhe gjithashtu edhe mbështetja e Shqipërisë është e fuqishme në këtë film. Producenti është shqiptar dhe një prej producentëve kryesorë këtu. Ai dhe regjisori kanë kaluar shumë kohë në Shqipëri para se të fillojnë të xhirojnë dhe kanë punuar një skenar dhe një projekt në marrëdhënie të afërt me shqiptarët dhe stafin teknik”.
Minarolli shtoi se ai ka tentuar t’i shpjegojë këshillit të akademisë në Los Angeles se për shkak se Shqipëria e ka një industri të vogël të filmit është pashmangshmërisht e lidhur me profesionistët e huaj dhe të gjithë filmat vendorë përfshijnë participimin e ekipit dhe talentit të huaj kreativ.
“Është një kinema kozmopolite që tenton të mbijetojë nëpër ndryshme kulturore. Në të kaluarën, Shqipëria ka qenë tërësisht e izoluar; sot tentojmë të gjejmë realitetin në kinema dhe ta kompensojmë kohën që e kemi humbur gjatë 50 viteve të kaluara. Akademia ka nevojë ta kuptojë këtë”.
Megjithëkëtë, Alimani, regjisor i ‘Amnistia’ e mirëpriti vendimin.
Ai tha për Variety se vendimi fillestar kishte qenë ‘i dhunshëm nda rregullave të vetë Akademisë; protesta nuk ishte për qëllime personale, por sepse mendoj se Shqipëria ka kinematografë që mund të përfaqësohen në nivel botëror; përzgjedhja e filmit tim si nominim zyrtar nga Shqipëria u jep shpresë filmbërësve të rinj në Shqipëri dhe e nderon punën e tërë stafit tim”.
Marston, i cili e mësoi gjuhën shqipe gjatë bërjes së filmit të tij, ‘Falja e gjakut’, tha: “Është zhgënjyese, të jem i sinqertë. Ka pasur shumë përfshirje kreative shqiptare në bërjen e filmit. Përqendrimi i Akademisë në vetëm gjashtë pozita kyçe të ekipit si barometër të shqiptarësisë së tij, për mua, është trishtuese”.
Ai shtoi: “Filmi është i bërë nga shqiptarët, në Shqipëri, për Shqipërinë dhe në gjuhën shqipe. Ndërsa filmi i njohur i regjisorit Kaurismaki, 'Le Havre', i cili është xhiruar në Francë me një ekip francez të aktorëve dhe me tregim francez, kualifikohet si film finlandez? Dhe filmi ‘As If I Am Not There’, i cili është xhiruar në Ballkan dhe është në gjuhën serbo-kroate me ekip nga ai regjion, kualifikohet si irlandez? Është absurde.
“Mendoj se është një problem me sistemin kur Hollywoodi pohon se e njeh më mirë se vendi i paraqitur nëse një film u takon atyre. Është jashtëzakonisht zhgënjyese për një vend me një industri të re të filmit”.
Përktheu: Alfred Beka