E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutime vetëm për çështje praktike

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Skender Durmishi deklaroi se, sovraniteti, çështjet e kufirit si dhe rregullimi i brendshëm nuk do të jetë tema që do të bisedohen me Serbinë.
“Duhet të jetë e qartë se ky do të jetë dialog i dy shteteve fqinje, dhe ai do të mundësojë zgjidhjen e problemeve të shumta , të bashkëpunimit ekonomik, të personave të zhdukur, të çështjeve sociale siç janë pensionet sepse ka kompani të shumta që kanë punuar në Kosovë e të cilat nuk paguajnë kontribute për të punësuarit nga Kosova. Nuk do të ketë biseda për çështjet e kufirit, për çështjet e sovranitetit dhe për rregullimin e brendshëm”, deklaroi Durmishi për Radio Shkupin.
Durmishi theksoi se vitin e kaluar janë bërë depërtime të reja, cilësore, suksese, rezultate në konsolidimin e pozicionit të republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Arritjet janë të shumta, do të filloja me atë se është shtuar numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, me një ritëm normal, edhe pse ne do të donim të jetë më i shpejtë. Kemi pasur një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që padyshim është histori pa diskutim, me të cilin konfirmohet shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe me këtë vuloset legaliteti dhe legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës”, shtoi Durmishi.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›