Kosovë, institucionet e reja, prioritet i 2011-ës

Miratimi i institucioneve të reja të Kosovës është një ndër sfidat e para, me të cilat do të ballafaqohen subjektet politike gjatë vitit 2011.
Bisedimet rreth formimit të qeverisë së ardhshme, besohet se do të marrin një kah më të qartë pas rivotimeve të pjesshme të 9 janarit.
Në bazë të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës fillimisht do të marrin nismën për formimin e një koalicioni të ri qeverisës.
Kryeministri në largim, Hashim Thaçi, thotë se prioritetet e tij dhe të qeverisë së ardhshme, nëse do të ishte në krye të saj, do të jenë vazhdimi i reformave demokratike dhe axhenda evropiane e Kosovës.
Ndryshe nga Hashim Thaçi, i cili beson në ndërtimin e institucioneve të reja mbi bazën dhe rezultatin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, beson se vendi duhet të krijojë një qeveri të përkohshme dhe të organizojë zgjedhje të reja.
Mustafa thotë se zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara dhe se ato nuk prodhojnë legjitimitet për formimin e një qeverie të re.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se gjatë vitit 2011 Kosova duhet të fillojë të përballet me probleme të shumta, të cilat nuk janë zgjidhur asnjëherë, por vetëm se janë bartur nga një vit në tjetrin. Sipas Kurtit, një trend i tillë rrezikon që Kosova të shihet si një shtet i dështuar.