E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diskutimet në komision Buxheti, Rama e Spahiu kërkojnë shtesë fondesh

Autori i Lajmit: Redaksia
Institucionet e drejtësisë kanë shprehur rezerva lidhur me fondin që qeveria ka caktuar për to në buxhetin e vitit 2010. Gjatë një diskutimi në Komisionin e ligjeve, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se institucioni që ajo drejton ka nevojë për më shumë fonde për shkak të rikonstruktimit. Të pakënaqur nga fondi janë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit.

Prokuroria

Ina Rama kërkon mbështetje financiare dhe shpërblime për punën e prokurorëve. Rama tha se sikundër anëtarët e Gjykatës së Lartë edhe prokurorët kanë nevojë për konsulentë ligjorë, çka do të çojë në 345 numrin e punonjësve në organin e akuzës. “Ligji për prokurorinë, i ndryshuar vjet, parashikon në një nen të tij që prokurorët do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe të njëjtat bonuse siç gëzojnë gjyqtarët në varësi të shkallës gjyqësore pranë të cilës kryejnë funksionet. Duke qenë se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë konsulentë ligjorë, ne thamë, (jo në ato nivel që ata kanë, secili nga një konsulent), por një ndihmës për dy prokurorë. Një ndihmesë e tillë do të ishte efikase për punën e Prokurorisë",- deklaroi Ina Rama.

KLD

KLD krahasuar me vitin 2009 ka një shtesë prej 10 punonjësish në organikë duke e çuar numrin e përgjithshëm 51. Megjithatë, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, tha se rritja e kontrolleve në të gjitha gjykatat e vendit kërkon më shumë njerëz. "Këto funksione të inspektimeve tematike apo të vlerësimit të punës së gjyqtarëve vazhdon në 30 gjykata të shkallës së parë dhe të Apeleve dhe që korrespondojnë me punën e 345 gjyqtarëve, de fakto, apo 375 gjyqtarëve. Të gjitha këto detyra realizohen nga vetëm 12 inspektorë. Vetëm në këto muaj brenda vitit 2009 në KLD janë adresuar 900 ankesa, të cilat janë pjesë e punës së inspektoratit për tu verifikuar", - deklaroi Kreshnik Spahiu.

Gjyqësori

Në buxhetin e vitit 2010 Zyra për Administrimin e Buxhetit Gjyqësor ku përfshihet edhe Gjykata e Lartë, ka fondin kryesor prej më shumë se 1 miliard e 300 milionë lekësh. Përfaqësuesit e kësaj zyre deklaruan se nevojat janë sërish të mëdha, nëse bëhet fjalë për shpenzime operative. Rezerva pranë komisionit ka shprehur dhe Avokati i Popullit, i cili është deklaruar i pakënaqur me shkurtimin e skajshëm të shpenzimeve operative, çka do të cenojë punën e përditshme të inspektorëve.

Prokuroria e Përgjithshme

“Kemi gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë jo më pak se dy ndihmës ligjorë, ndërsa ligji për prokurorinë përcaktohet se prokurorët e Prokurorisë së Përgjitshme do të gëzojnë të njëjtat bonuse si gjyqtarët. Ne kërkojmë jo dy ndihmës për një gjyqtar, siç është në gjyqësor, por një ndihmës për dy prokurorë. Kjo do ishte e përshtatshme për anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme”.

KLD

Rritja e kontrolleve kërkon fonde. Funksionet e vlerësimit të punës realizohen në 30 gjykata dhe që korrespondojnë me punën e 375 gjyqtarëve që do të jenë në detyrë. Të gjithë këto realizohen nga 12 inspektorë. Vetëm në këta muaj janë adresuar 900 ankesa të cilat janë punë e inspektoratit për tu verifikuar.

Avokati i Popullit

Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit ka kërkuar dje në Komisionin e Ligjeve rritje të fondeve për këtë institucion. Sipas tij, për këtë institucion nuk duhet të ulen fondet. Emir Dobjani kërkoi në komision që qeveria të rrisë mbështetjen për Avokatin e Popullit duke e lënë të paktën në masën që ishte vitin e kaluar.

Policët: “Duam rrogën e 13-të”

Sindikata e Policisë së Shtetit i kërkon qeverisë pagimin e një rroge të 13-të për uniformat blu për të shpërblyer punën e tyre. Me anë të një letre të hapur policët i janë drejtuar dje qeverisë. “Punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë çdo vit në fund të vitit financiar një shpërblim deri në një pagë mujore, të njëjtë me atë të përfituar nga punonjësit civilë dhe punonjësit e administratës shtetërore. Ky shpërblim jepet në bazë të një shkalle përpjestueshmërie, që pasqyron kohën e punës së kryer gjatë gjithë vitit financiar. Punonjësit që nuk kanë mungesa në punë, për çfarëdo arsye, përveç kohës së pushimit kanë të drejtën e shpërblimit të plotë. Kjo pagë nuk përfitohet në rastet, kur punonjësi është ndëshkuar me masën “përjashtim nga Policia e Shtetit”, - deklaroi sot sindikata e uniformave blu. Më tej sindikata i është referuar edhe Kontratës Kolektive të Punës, nr. 1966, datë 03.04.2009, neni 5, i cili shprehet se “Punëdhënësi duhet të respektojë të drejtat e punëmarrësve, sipas përcaktimit të ligjit 7961, datë 12.07.1995 (Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar), konkretisht neni 91, ku shprehet: “Orët suplementare mund të kompensohen me pushim ose me pagesë shtesë jo më pak se 25% të saj”, -thuhet në letrën drejtuar qeverisë.

Ky lajm është publikuar: 19/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›