Diskutojnë për rolin dhe mandatin e EULEX'it

Sipas një komunikate të Ministrisë së Drejtësisë, në takim është diskutuar për Misionin e EULEX-it, respektivisht, nevojën e një ftesë zyrtare nga Qeveria e Kosovës drejtuar Bashkimit Evropian, për vazhdimin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, e bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se ‘Shkëmbimi i Letrave’ në mes Kosovës dhe BE-së duhet të ketë disa gjëra parasysh: Një, respektimin e bazës ligjore të Kosovës; dy, kufizimin e mandatit te EULEX-it deri në qershor 2014; tre, pëlqimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e Kosovës; katër, krijimin e një marrëveshjeje bilaterale mes Kosovës dhe BE-së nëpërmjet këtij ‘Shkëmbimi Letrash’, dhe pesë, miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Zëvendëskryeministri Kuçi, ka kërkuar, gjithashtu, ndihmë nga pala e EULEX-it për procesin e Liberalizimit të Vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Në këtë takim janë diskutuar edhe një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me përcaktimin e detyrave të EULEX-it dhe palës kosovare, siç janë përmendur ne dialogun e strukturuar mbi Sundimin e Ligjit, dhe Bordin për Sundimin e Ligjit në Kosovë, të cilat do të përfshihen në një marrëveshje partneriteti mes Qeverisë së Kosovës, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe EULEX-it.
Në përcaktimin e këtyre detyrave në fjalë, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se duhen zhvilluar objektiva të qarta me afate të caktuara për detyrat e përmendura në këtë marrëveshje; analizuar pasojat ligjore dhe buxhetore për sa i përket këtyre detyrave dhe duhet të përfshihet Plani për Transferimin e Kompetencave nga EULEX-i në Institucionet e Kosovës, siç është propozuar në tetor 2011 dhe është përsëritur në Bruksel në maj të vitit 2012.
Sipas komunikatës, të gjitha palët ranë dakord që objektivat e lartpërmendura nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, do të diskutohen në takimet e mëtejshme.