Për Dasmën e baletit kosovar

Dimensioni klasik, tradicional, dhe aroma orientale, por edhe këndimi dhe klarineti si koncept i një vaji rinor, që ndërthuren në një rrjetë unike kontemporane, plotësuan harkun e garniturës së dasmës paqësore në kontekstin e një mesazhi për karnavalin e së keqes (ndasisë) historike, e cila përçau çdolloj dashurie këtu e përtej. Çifti i kësaj tryeze artistike kërkonte çelësin e atij pajtimi, të asaj darke unike dhe aq të kërkuar ndër breza e brezni.
Edhe dimensioni dramatik ishte i mbjellë me intuitën e koreografisë.
Natyra e karaktereve ishte po aq elitare në raport me garniturën e të kërcyerit. Skenat masive, emocioni i fuqishëm, gjestikulimi që shtresohet deri në arrogancë, pjekuria mendore dhe fizike, dhe psikologjia e thellë e kësaj dasme njerëzore, që shpërfaq metaforën e asaj që quhet tendencë për të qenë i lumtur edhe aty ku është mbjellë urrejtja e zezë në formë petku të zi, të cilin petk, në fund do ta nxjerrin nga lëndina e së mirës të mirët e kësaj kohe, duke e detyruar që të kullos të keqen e vet, bëhen në një hark ndasish të mbjella me vetëdije si rrënjë dhembshurie.
Loja nis me fundin dhe përfundon me ëndrrën e fillimit. Protagonisti e shikon me sy, mbase edhe prek me dorë ëndrrën e dasmës së tij, ndonëse s’mund t’i thërras krushqitë për të lidhë dashurinë me një hark unazor. Janë pengesat e forta që e shqetësojnë atë dhe të dashurën e tij deri në kohët e sotme. Janë skenat e tmerrit, të asaj odisejade përpjekjesh deri në hapat e fundit që zbardhin majën e bjeshkës së bareshës shqiptare dhe tej-shqiptare, të quajtur Dasmë e Bardhë.
Dasmë për Nexhmie Pagarushën
Përvuajtjet simbolike mbi dashurinë e mendësisë së bareshës (besës) shqiptare karshi popujve tjerë, partitura e artit vendor në kolona zanore të cilat stisnin një jehonë të përzier, na çojnë në përfundimin se ky art poetik do të mbetet rekuiem, përkatësisht muzë e kësaj legjende ballkanike.
Baresha është modeli më human për të sotmen tonë, dhe mesazh për të nesërmen e kësaj mendësie se kah duhen drejtuar vallet tona; kah bota e moderuar, atje ku valëviten flamujt e bardhë, ose duhet mbetur në stacionin e vjetër. Në të kundërt, do të lidhet urtësia me dëshirën, haremi historik do të shpërqendrohet në arenë multimediale ku do të inkuadrohet dhe audienca në momentin festiv, duke i dhënë kuptimin këmbës, të mbarës artistike e njerëzore, duke i vënë lak ndasive e xhelozive, duke i zhveshë njëherë e mirë të zezat historike, për të veshur historinë e re me të bardhat e një nusërie vullneti.
Gjithsesi, mjeshtri i kësaj shfaqjeje mbetet më meritori, ndonëse meritorë janë edhe vetë protagonistët e trupës në përgjithësi, si Sinan Kajtazi, Fisnik Smani, Vjollca Llugiçi, Leonora Rexhepi, Muhamet Bikliçi, Kreshnik Musolli, Luljeta Ademi, jeta Musolli, Sead Vuniçi, Behie Murtezi, Teuta Krasniqi, Marigona Hoxha, Katie McGuffey, Drilon Podrimçaku, Vlora Prizreni, Liridon Mziu, Rrustem Metaj, Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Nora Gashi, Mimoza Bytyqi, Vlora Ahmeti, Vjosana Sina, Vjollca Ismaili, Doruntina Rexhepi, Gëzim Sllamniku, Muhamet Hasani, Ilir Krasniqi, por edhe shumë të tjerë që u përkujdesën për anën teknike të shfaqjes.
Koreografia dhe Libreti ishte i Mehmet Ballkan, me asistencë të Lale Ballkan, kostumet i punoi Tayfyn Çebi. Drejtor i Baletit të Kosovës është Ahmet Brahimaj.