Diskutojnë rreth agjendës së rrethit të katërt të dialogut

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, takoi ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun teknik Robert Kuper, me të cilin ka biseduar lidhur me përgatitjen e agjendës për raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë që zhvillohet më 17 dhe 18 maj në Bruksel.
Temat kryesore përfshijnë çështjen e të pagjeturve, çështjen e trashëgimisë kulturore dhe çështjen e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare.
Gjithashtu në takim u diskutuan edhe çështjet që tashmë janë të hapura dhe mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve, si dhe u diskutuan edhe elemente të ndryshme të marrëveshjeve të mundshme kornizë të cilat në një proces mund të rezultojnë edhe në marrëveshje.
Zëvendëskryeministrja Tahiri falënderoi Kuper dhe BE-në, për angazhimet konstruktive rreth dialogut me një rol të rëndësishëm në çuarjen përpara të objektivave të dialogut, të cilat synojnë zgjidhjen e çështjeve praktike në të mirë të qytetarëve si dhe në afrimin e Kosovës me BE-në.
Gjithashtu u theksua se rezultatet e dialogut do të shënojnë përparime në bashkëpunimet rajonale si një prej parakushteve për integrimet evropiane.