Përurohet linja interkonektive Kosovë-Shqipëri

Është vënë simbolikisht gurthemeli i pikënisjes së linjës interkonektive 400 kV Kosovë- Shqipëri, projekt ky i cili kap vlerën prej 75.5 milionë euro, financim i Qeverisë së Gjermanisë nëpërmjet bankës KfW dhe i cili njëherësh është projekti më i madh i sistemit elektroenergjetik të Kosovës në tridhjetë vjetët e fundit.
Vënien e gurthemelit të pikënisjes së linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri e bënë të mërkurën kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Dirk Niebel në Nënstacionin 400/220 kV Kosova B.
Kryeministri Thaçi, fillimin e punimeve të linjës së transmisionit energjetik e ka quajtur autostrada energjetike Kosovë- Shqipëri. Ai ka vlerësuar se ndërtimi i kësaj linje është rezultat i ndihmës së qeverisë gjermane dhe përkushtimit të institucioneve të Qeverisë së Kosovës dhe të KOSTT-it.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se ky projekt është ndër të parët në fushën e ndërtimit dhe përmirësimin e infrastrukturës në sistemin energjetikës në vendin tonë.
“Ky projekt do të ndikojë në bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe përmes kësaj do të ndikojë në optimizmin e shkëmbimit të energjisë elektrike në mes të dy vendeve. E gjithë kjo do të ndikojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në Republikën e Kosovës, si dhe rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese që planifikohet të realizohen përmes projektit “Kosova e Re””, ka thënë Thaçi.
Ndërsa ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Gjermanisë, Dirk Niebel ka thënë se të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në këtë projekt mund të krenohen për nismën e këtyre punimeve, pasi fillimi i këtyre punimeve është i kontribuon zhvillimit ekonomik dhe sektorit të energjisë.
“Sektori i energjisë është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. Në mënyrë që shtylla e sektorit të energjisë të mund të jetë e frytshme ajo duhet të jetë stabile dhe e qëndrueshme. Për ta arritur këtë ka nevojë për një vendosmëri dhe fuqi bindëse dhe vullnet për ndryshime dhe i gjithë kjo është ofruar në mënyrë që ky projekt të realizohet siç është linja e transimionit në mes të Prishtinës dhe Tiranës”, ka thënë Niebel.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i KOSTT-it, Fadil Ismajli, ka vlerësuar se projekti për ndërtimin e linjës 400 kV do të krijojë kapacitete më të mëdha për shkëmbimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Komisionimi i linjës gjithashtu do të rrisë sigurinë dhe stabilitetin e të dyja sistemeve energjetike, por do të ketë efekt shumë të madh edhe në sistemin elektroenergjetik rajonal. Në ana tjetër në aspektin ekonomik, kur e them se të dyja sistemet janë kompatibile kjo do të thotë se përfitimet ekonomike nga optimizmi do të ndjehen në dy skajet e linjës, humbjet teknike do të zvogëlohen, që do të thotë se konsumatorët, ekonomitë, amvisëritë, gjithashtu do të përfitojnë nga ky projekt”, ka theksuar Ismajli.
Financimi i projektit në fjalë për pjesën e Kosovës do të jetë 33.5 milionë euro, ndërsa për pjesën e Shqipërisë 42 milionë euro. Gjatësia e linjës për Kosovë është 90 kilometra, derisa për Shqipëri do të jetë 151.5 kilometra. /kosovapress/