E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga mirëpret “Paktin elektoral”

Nga Express më 04 maj 2011 në ora 18:34

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka quajtur lajm të mirë marrëveshjen e arritur mes dy partive më të mëdha politike shqiptare në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare për bashkërendim dhe bashkëveprim, në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit.

“E çmojmë lart përgjegjësinë e të dy udhëheqësve, Ali Ahmeti të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Menduh Thaçi të Partisë Demokratike Shqiptare, të cilët për hir të interesave kombëtare, qytetare dhe shtetërore u vunë mbi interesat partiake dhe bënë një veprim i cili është në të mirën jo vetëm të popullit shqiptar në Maqedoni, por të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim kombëtar dhe fetar, në interes të shtetit të Maqedonisë, të stabilitetit dhe të prosperitetit të tij dhe të paqes e të bashkëpunimit në rajon”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Për më tepër, ajo ka uruar që marrëveshje të tilla, jo vetëm ndërmjet subjekteve politike shqiptare, por edhe të faktorëve të tjerë politikë maqedonas, të ndihmojnë harmonizimin e qëndrimeve, duke pasur parasysh interesin dhe të ardhmen e qytetarëve në rrugën e integrimeve euroatlantike, që do të forcohen me procesin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Maqedoni.

Krerët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi të mërkurën në Shkup nënshkruan marrëveshjen të ashtuquajtur “Pakti elektoral” për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›