E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensim për kategori të caktuara të punëtorëve shëndetësor

Nga Express më 04 maj 2011 në ora 19:44

Ministria e Shëndetësisë i konsideron të arsyeshme kërkesat e punonjësve shëndetësor përkitazi me kompensimin adekuat të punës jashtë orarit dhe punës gjatë ndërrimit të natës, të cilat u paraqitën pas zbatimit të dispozitave të Ligjit të Punës lidhur më këtë çështje.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Shëndetësisë shpreh përkushtimin që punëtorët shëndetësor të kompensohen në mënyrë adekuate për punën e tyre dhe në këtë drejtim nëpërmjet arritjes së marrëveshjes kolektive me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, do të sigurojë ngritjen e këtij kompensimi në vlerat nga periudha paraprake.

Njëkohësisht, duke përpiluar aktin nënligjor që rregullon kompensimin për rrezikshmërinë e shtuar në punë, MSH synon që të rrisë këtë kompensim për kategori të caktuara të punëtorëve shëndetësor, thuhet në komunikatë.

Seksioni sindikal i QKUK-se në Prishtinë, sot ka organizuar një protestë njëorëshe para Klinikës së Kirurgjisë në QKUK, për shkak se punonjësit shëndetësor kujdestaritë e muajit mars i kanë marrë me zbritje në pagë.

Sipas protestuesve është shkelur ligji i punës lidhur me pagesat për punën shtesë, kujdestaritë dhe fundjavën.

Protestuesit kanë paralajmëruar se nëse nuk do të reflektohet mbi kërkesën e tyre, atëherë ata do të ndërmarrin masa të tjera.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›