Dispozita për kombësinë, Ngjela përshëndet Kushtetuesen
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi ligjin e gjendjes civile për kombësinë, ka ndezur atmosferën festive mes emigrantëve shqiptarë në Greqi. Dega e "Aleancës Kuq e Zi", në Athinë informoi se aktivistë të saj, kanë zhvilluar një marshim përreth një orë në kryeqytetin grek.
Por, pas këtij vendimi ka reaguar edhe kryetari i Partisë, Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i cili e ka përshëndetur këtë vendim. Ngjela tha se me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një vendim antikombëtar, të hartuar dhe miratuar nga qeveria aktuale.
“E përshëndes vendimin e Gjykatës, duke theksuar se se në gjithë këtë peshë antikombëtare të ushtruar nga kryeministri, shqiptarët panë se në institucionet e tyre, paksa ende shpirt patriotik. Një vendim të tillë, për ta konsideruar ndërrimin e kombësisë si një akt antikushtetues e ka ndërrmarrë edhe Gjykata Kushtetuese franceze, përsëri në një çështje të ngjashme me këtë. Theksoj se fqinjët e Shqipërisë të jenë aq serioz, sa të mos i kërkojnë shqiptarëve, ato akte, që vet i kanë konsideruar antikushtetues”, u shpreh ai.
Një ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e gjendjes civile, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj.