E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, Stefanoviç: Thaçi zbaton marrëveshjen siç i intereson

PRISHTINË- Një ditë pas vendosjes së doganierëve kosovarë në veri nga Prishtina zyrtare, situata vazhdon të mbetet e tensionuar. Policia e vlerëson situatën relativisht të qetë. Zyrtarët e KFOR-it thonë se shumë nga rrugët që çojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare me Serbinë, mbesin të bllokuara.  Mediat kosovare raportojnë për sulme me gurë nga serbët në jug të Mitrovicës, ndërsa kanë bllokuar me zhavorr urën e Ibrit.

Mediat raportojnë se serbët kanë ngritur një mur rreth 3 metra të lartë në rrugën Prishtinë- Rudër në Mitrovicë, dhe praktikisht bllokon çdo lloj transporti në atë rrugë për në Jarinjë. Mësohet se pjesë e betonizimit do të bëhet edhe ura mbi lumin Ibër.

Ndërkohë që rreth orës 11:15 të ditës së sotme  u raportuan për të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës. Kosova Press raporton se forcat e sigurisë kanë shtuar kanë shtuar prezencën e tyre mbi urën kryesore mbi lumen Ibër, ndërkohë që vërehen disa automjete KFOR-it, të cilat kanë kaluar në pjesën veriore nga ana e Suhadollit. Të shtënat janë dëgjuar nga ndërtesat në pjesën veriore të Mitrovicës.

STEFANOVIC: THAÇI PO ZBATON MARREVESHJEN SIÇ I INTERESON
Ora 16: 12 Shefi i delegacionit serb në bisedimet Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviç, deklaron se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar po përpiqen të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel "ashtu siç u intereson atyre". Stefanoviç mësohet t'i ketë bërë këto komente para gazetarëve në Leposaviç. "Marrëveshja ka tri fjali - bazohet vetëm në vula dhe në dokumentet përcjellëse", tha Setfanoviç, për të shtuar se nuk bëhet fjalë për vendkalimet kufitare, meqë, siç u shpreh ai, Prishtina nuk ka dashur një gjë të tillë. Stefanoviç tha se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut, por jo me doganierët kosovarë në veri.
 
KFOR GJERMAN AUTOMJETE TË BLINDUARA PËR TË HEQUR BARRIKADAT
Ora 15: 30 Bundeswehri gjerman ka dërguar në Kosovë dy automjete të blinduara “Daks-pionier”, për t’i hequr sic thuhet barrikadat që serbët kanë vënë në rrugë, raporton “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Janë paralajmëruar po ashtu që në fillim të tetorit të sillen edhe disa automjete të blinduara të tjera.Qëllimi i këtyre përforcimeve është që të kontribuohet në përmirësimin e aftësive për të kontrolluar masat, për të qenë të gatshëm për dhunë, apo largimin e barrikadave.

KUSARI-LILA: PRESIM PËR RECIPROCITET DERI TË HËNËN, PASTAJ EMBARGO
Ora 11:00- Zmbrapsja për ta aplikuar reciprocitetin tregtar, sipas zëvendëskryeministres Mimoza Kusari-Lila, do të jetë deri të hënën. Pastaj do të rivendosen bllokada për mallrat, në rast se Serbia vazhdon embargon tregtare.

Kosova vetëm pak javë ka mundur t’ia kthente me reciprocitet Serbisë bllokadën më shumë se trevjeçare të shkëmbimit tregtar. Kamionë me mallra komerciale janë lejuar të premten për të hyrë nga Serbia në Kosovë. Anasjelltas, asnjë.

SHBA: TË SHQETËSUAR PËR SITUATËN
Ora 07:30- Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve nga serbët në veri të Kosovës pengojnë lirinë e lëvizjes dhe nuk janë në pajtim me aspiratat e Kosovës dhe Serbisë për hyrje në Bashkimin Evropian, raporton gazeta kosovare Express.

“Gjithsesi jemi të brengosur për shkak të situatës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbajnë paqen dhe t’iu shmangen hapave të ngutshëm, si dhe të përmbahen nga retorika ndezëse”, ka thënë Toner.

Ai në një konferencë për media ka theksuar se KFOR-i dhe EULEX-i ndodhen në veri për të siguruar lëvizjen e sigurt dhe të lirë të njerëzve dhe mallrave.

“Liria e lëvizjes është në interesin e Kosovës dhe Serbisë, dhe është në pajtim me aspiratat e tyre për hyrje në Bashkimin Evropian. Bllokada e rrugëve gjithsesi nuk i kontribuon kësaj”, ka thënë Toner.

Gjatë natës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë, aty ku pëvec doganierëve serbë ka edhe doganierë kosovarë, të gjithë këta të mbikëqyrur nga KFOR e EULEX gjendja është raportuar e qetë gjatë natës. Nuk ka pasur sulme nga strukturat paralele serbe.

(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›