E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi ndaj Ilir Xhakjas, shoferi i Adem Tahirajt refuzon të dëshmojë

DURRES - Një nga dëshmitarët okularë të vrasjes së kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj, refuzon të dëshmojë në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Ilir Xhakja, i cilësuar si i forti i Shijakut.

Ish-shoferi personal i kryekomisarit, Fatmir Hoxha, përfitoi nga e drejta ligjore për të mos rrëfyer për momentin e ekzekutimit të zyrtarit të lartë të policisë. Hoxha, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk mbrojti kryekomisarin ditën që u qëllua për vdekje shmangu në këtë mënyrë dhe përballjen me të dyshuarin për vrasje Xhakja.

Më pas prokuroria e krimeve të rënda lexoi para gjykatës dëshminë që shoferi i ish- kryekomisarit kishte dhënë para hetuesve më 20 shtator 2012. Mes të tjerash ai rrëfente momentin e përplasjes me Ilir Xhakjan. Sipas tij, në momentin që kryekomisari Tahiraj ka urdhëruar shoqërimin në komisariat të një djali të ri që lëvizte me një makinë pa dokumenta, pranë tyre ka ardhur një person i veshur sportiv, që lëvizte me një makinë luksoze. Hoxha kujton se ky person e ka nxjerrë me dhunë nga makina dhe në këto momente kryekomisari e ka pyetur kush ishte, por ai i është përgjigjur me fjalë ofenduese.

Në këto momente rrëfen, Fatmir Hoxha, personi që më pas u identifikua si Ilir Xhakja ka qëlluar për vdekje Adem Tahirajn. Në seancën e radhës pritet që Ilir Xhakja të rrëfehet para gjykatës dhe të japë shpjegimet për ngjarjen e rëndë të 13 shtatorit 2012 . 

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›