Dita Botërore e Popullsisë, Shqipëria me moshë të re
Dita Botërore e Popullsisë, e cila kremtohet në 11 korrik,
e ka gjetur Shqipërinë një vend që vazhdon të mbetet me popullsi të re, pavarësisht shtimit mesatar vjetor të popullsisë. Nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), mosha mesatare e shqiptarëve është 31.7 vjeç. Por edhe pse vendi ynë përfshihet në një nga vendet e Europës me popullsi më të re, bazuar në projeksionet e popullsisë për periudhën 2001-2021, rrezikon që pesha specifike e të rinjve të bjerë në mënyrë të dukshme, dhe ajo e personave me moshë më të madhe të rritet progresivisht. Aktualisht, bazuar në të dhënat e INSTAT, shtimi i popullsisë është ulur në 1.8 fëmijë për nënë, ndërkohë që sipas studimeve, llogaritet që në vitin 2021 numri mesatar i fëmijëve për grua të shkojë në 1.4 fëmijë. Ndërsa përsa i takon treguesit të vdekshmërisë, një nga elementët e ndryshimit të popullsisë, vitet e fundit ai ka mbetur në të njëjtat nivele. Përsa i përket statistikave demografike projeksionet mesatare të popullsisë tregojnë se në vitin 2010 pritet që popullsia e Shqipërisë të arrijë në 3 970 000 banorë.
ISHP: “Puna në Kurum do të rinis brenda këtij muaji”
Puna në repartin e shkrirjes së uzinës KURUM në Elbasan, pritet të fillojë brenda këtij muaji, pasi reparti të ketë siguruar kushtet për mbrojtjen e jetës së punëtorëve. Lajmi bëhet i ditur nga Inspektoriati Shtetëror i Punës (ISHP), i cili ka vendosur që të lejojë rifillimin e punës në KURUM vetëm nëse sigurohen kushtet. Sipas ISHP-së, KURUM-i deri tani ka plotësuar pjesën më të madhe të kushteve. Ndërsa struktura e ISHP-së në Elbasan, ka ndjekur vazhdimisht realizimin e detyrave të caktuara, nga të cilat rezulton se përmbushja e kushteve të punës është mundësuar përmes investimeve dhe masave që lidhen me zbatimin e sigurimit teknik. Gjithashtu ISHP ka depozituar një kërkesë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, asaj të Mjedisit dhe Shëndetësisë, me qëllim që edhe inspektorët e tyre të verifikojnë punën në KURUM. Sipas ISHP-së, kjo praktikë po ndiqet për të siguruar shëndetin e punëtorëve. Madje, një praktikë e tillë do të ndiqet për të gjithë subjektet që kanë shkaktuar aksidente në punë dhe që nuk respektojnë ato parametra dhe kërkesa që parashtrohen në ligj. Reparti i shkrirjes së çelikut u mbyll në 14 janar të këtij viti, kur në një nga furrat e tij ndodhi një shpërthim me pasojë vdekjen e dy punëtorëve dhe plagosjen e pesë të tjerëve.
12 Korrik 2008