QSUT-ja në kaos, thellohen mungesat në barna e pajisje
Emanuela Sako
QSUT-ja është zhytur në një kaos të vërtetë, ku mungojnë shumica e pajisjeve dhe preparateve mjekësore. Tashmë është bërë e njohur situata emergjente në QSUT, ku mungojnë shumica e barnave dhe e pajisjeve mjekësore. Mjekët raportojnë për një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Sipas mjekëve, mungesat janë bërë të përhershme dhe nuk kanë marrë ende një përgjigje se kur do të përfundojë kjo situatë. Madje, QSUT-ja rrezikohet nga viruset ashtu siç ndodhi edhe me Pavijonin e Kardio-kirurgjisë. Në këtë qendër mungojnë solucionet për larjen e ambienteve dhe sidomos të sallave të operacioneve, pas ndërhyrjes kirurgjikale. Situata shfaqet përditë dhe më alarmante. Pastrueset e Spitalit Infektiv, shpjegojnë se nuk ka më solucione dhe lecka të reja për të larë dhomat. Sipas tyre, nëse do të vazhdohet kështu, ato do të largohen nga puna, pasi ndihen të rrezikuara nga marrja e ndonjë virusi. Barnat janë në “grahmat“ e fundit edhe në përballimin e urgjencave. Ndërkohë që, ambulancat nuk furnizohen rregullisht me karburant për përballimin e urgjencave dhe lëvizjen që duhet të kryejnë në qytet.
Virusi
Mjekët deklaruan, dje, se situata në QSUT është tepër e rëndë dhe e papërballueshme për pritjen e pacientëve. Ata kanë kërkuar reforma në sistemin e shëndetësisë dhe furnizimin e pavijoneve me medikamente. Mjekët kanë kërkuar që të vendoset një tarifë e përcaktuar për të gjitha vizitat dhe operacionet që do të kryhen në spitale. Sipas tyre, paratë nuk duhet të jepen nën tavolinë në formë rushfeti, por të jepen në mënyrë të ligjshme. Kirurgët u shprehn se virusi që është përhapur në Kardio-kirurgji nuk është vdekjeprurës, por nuk përjashtuan faktin se pavijonet dhe sallat e operacioneve ndihen të rrezikuara çdo ditë e më tepër. Tashmë të gjitha sallat e operacioneve në pavijonin e infektuar janë mbyllur dhe nuk mund të kryhet asnjë operacion. Ndërkohë që, gjatë këtij viti në kardiokirurgji janë operuar 250 persona dhe vdekshmëria nga infeksionet ka qenë 0.5 për qind. “Të operuarit e këtij viti kanë qenë nga mosha 4 muajsh deri në 80 vjeç dhe asnjë nuk ka vdekur”, - është shprehur kirurgu Arben Baboçi. Dje pacientët janë zhvendosur nga Reanimacioni i QSUT-së, pasi dhoma ka rezultuar e prekur nga infeksionet. Po kështu, ajri ka rezultuar i infektuar dhe qëndrimi i pacientëve në këto dhoma është vlerësuar si i pamundur. Rezultatet e ISHP-së treguan se virusi që përfshiu Kardio-kirurgjinë nuk është Stafilokoku, por është baketri “Pseudomanas”, më i rëndë se Stafilokoku.
Pacientët
Ata që janë më të terrorizuarit nga kjo ngjarje, janë pacientët. Pacientët janë të frikësuar dhe ndihen të pasigurtë për t’u kuruar në QSUT dhe kanë humbur besimin për mundësinë e kurimit nga bluzat e bardha. Ndërkohë që, shprehen se nuk dinë se ku duhet të shkojnë të kurohen, pasi spitalet private që ofrojnë kushte më të mira janë tepër të shtrenjëa. E vetmja gjë, që ofron Ministria e Shëndetësisë për pacientët është të denoncojnë rastet e korrupsionit, por ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e situatës.
12 Korrik 2008