E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj kërkon ndëshkim për prokurorët dhe gjyqtarët që shpërdoruan detyrën



Luan Kondi

Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, denoncoi të dje gjatë një konference për shtyp, shkeljet e kryera nga dy prokurorë të Gjykatës së Apelit në Shkodër dhe një gjyqtari në Gjykatën e Elbasanit. Sipas ministrit të Drejtësisë, prokurorët Brahim Ndregjoni dhe Arta Marku kanë mbajtur një person në burg për 75 ditë, pa pasur vendim gjykate, ndaj për ta do të kërkohet shkarkim nga detyra.
Deklarata
“Nga kontrolli i ushtruar në Gjykatën e Apelit Shkodër rezulton se i dënuari Arben Ndoja ka vuajtur padrejtësisht 2 muaj e 13 ditë burg si pasojë e moszbatimit të dispozitave urdhëruese procedurale penale nga dy prokurorët e Apelit Shkodër”, u shpreh ministri i Drejtësisë. Ministri Alibeaj bëri të ditur se do të kërkonte edhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së shkallës së parë të Elbasanit, Bujar Musta, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë janë konstatuar shkelje të rënda ligjore të kryera prej tij. Sipas tij, Musta ka shkelur dispozitat procedurale mbi pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e provave për një të pandehur të akuzuar për vrasje, i cili është shpallur i pafajshëm nga gjykata, ndonëse prokuroria ka kërkuar dënimin e tij. Bëhet fjalë për të pandehurin Suel Çela, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Roland Musta, në 27 shtator të vitit 2006. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Bujar Musta, ka vendosur deklarimin e tij të pafajshëm. Alibeaj i përmend sërish nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, që të pranojë verifikimin e mandatit.
Kontrolli
Duke iu referuar deklaratës së ministrit Alibeaj, Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontrolle sistematike dhe periodike në sistemin e prokurorisë dhe në gjyqësor. “Jam këtu për t’ju deklaruar rastin e fundit skandaloz të verifikuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Prokurorinë e Apelit, nga verifikimi i të cilit ka rezultuar se një shtetas i dënuar me një vendim gjyqësor penal është mbajtur në burgim për një periudhë kohe pa një vendim gjyqësor. Në përfundim të këtij verifikimi kam vendosur të bëj kallëzim penal ndaj prokurorëve që kanë pasur këtë detyrim, si dhe për t’i kërkuar autoriteteve shtetërore të ngarkuara, të japin masa disiplinore ndaj tyre, dhe konkretisht Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm që në mënyrë menjëhershme të fillojnë procedimin dhe të marrin masën ekstreme të shkarkimit nga detyra prokurorëve që në shpërdorim të plotë të detyrës kanë mbajtur në burg pa vendim për 75 ditë një qytetar të RSH”, - vijoi ministri Alibeaj. Ministri tha se një treshe gjyqtarësh në Elbasan e kryesuar nga ish-kryetari i Gjykatës, gjyqtari Bujar Musta, kanë dhënë një vendim gjyqësor duke shpallur të pafajshëm, autorin e një vepre penale të një vrasje me paramendim të ndodhur në këtë qytet. “Prokuroria kishte kërkuar masën ekstreme të dënimit me burgim prej 25 vjetësh, jo vetëm për autorin e veprës penale por edhe bashkëpunëtorët e tij, gjykata në shkelje të plotë të urdhërimeve procedurale ka anashkaluar të gjithë provat të cilat i ngarkonin me përgjegjësi penale autorët e kësaj vepre penale dhe duke deklaruar ditën me diell pafajësinë e tyre ndërkohë që i gjithë komunitetit i këtij qyteti ka njohje të plotë mbi këtë rast flagrant vrasjeje të ndodhur në mesditë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë që në fillim të vitit ka parashikuar planin e vet të veprimit të kontrollit në të gjithë sistemin e prokurorisë, ka përfunduar kontrollin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë si dhe është duke vazhduar në mënyrë intensive kontrollin në prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili shumë shpjet do të përfundojë dhe shumë shpejt do të bëhen të ditura edhe gjetjet në këtë rast.

Ngjarja e Shkodrës

Nga kontrolli i ushtruar në Gjykatën e Apelit Shkodër ka rezultuar se i dënuari Arben Ndoja ka vuajtur padrejtësisht 2 muaj e 13 ditë burgim si pasojë e moszbatimit të dispozitave urdhëruese procedurale penale nga prokurorët e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me vendimin penal nr. 4, datë 9 janar 2007 ka deklaruar fajtor dhe dënuar të pandehurin Arben Ndoja me 2 vjet e 2 muaj burgim për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë të parashikuara nga nenet 278/2 e 280 të Kodit Penal. Mbi ankimin e të pandehurit Arben Ndoja, Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin penal nr. 104, datë 12 qershor 2007 ka vendosur lënien pjesërisht në fuqi dhe ndryshimin pjesërisht të vendimit penal të gjykatës së shkallës së parë. Në vijim, Gjykata e Apelit Shkodër ka dhënë vendimin nr. 44, datë 13 shkurt 2007 me të cilin ka urdhëruar korrigjimin e gabimit material në vendimin e saj nr. 104 dhe ka saktësuar se dënimi i dhënë përfundimisht për të pandehurin Arben Ndoja është 18 muaj burgim. Ndonëse në të dy gjykimet penale të zhvilluara në Gjykatën e Apelit Shkodër ka marrë pjesë organi i Prokurorisë (nëpërmjet prokurorit Brahim Dragjoshi) dhe rrjedhimisht ka qenë në dijeni të plotë mbi faktet e konstatuara dhe të gjykuara nga Gjykata e Apelit, prokuroria ka vepruar me nxjerrje të urdhrave të ekzekutimit (nëpërmjet prokurores Arta Marku) në referim të vendimit penal me shkrim me gabime materiale. Në këto rrethana, pavarësisht se Prokuroria ka kuptuar në mënyrë të qartë qëndrimin e mbajtur nga Gjykata, nëpërmjet veprimeve të mbajtura në fazën e ekzekutimit të vendimit penal ka shkaktuar qëndrimin e padrejtë në burgim të të dënuarit Arben Ndoja saktësisht për 2 muaj e 13 ditë burgim.

Ngjarja e Elbasanit

Bazuar në raportin e grupit të kontrollit që ka këqyrur dosjen gjyqësore më 27 shtator të vitit 2006 rreth orës 21:45 në lagjen “5 Maji”, Elbasan është qëlluar me armë zjarri shtetasi Roland Musta dhe si pasojë e goditjeve ai ka vdekur pak më pas në spital. Prokuroria ka kryer veprimet hetimore të çështjes dhe ka konkluduar se autor i kësaj vrasjeje është i pandehuri Suel Çela nisur nga motive të dobëta familjare. Rrjedhimisht, Prokuroria ka dërguar çështjen për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku është gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bujar Musta (kryetar), Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu (anëtarë). Gjatë gjykimit të çështjes, nga trupi gjykues janë shkelur dispozitat urdhëruese procedurale penale të cilat kanë ndikuar në zgjidhjen e çështjes drejt pafajësisë së të pandehurit Suel Çela. Konkretisht, gjykata ka shkelur dispozitat procedurale mbi pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e provave, mbi përdorimin e provave indirekte, mbi arsyetimin e vendimeve të ndërmjetme për përjashtimin e provave të fajësisë në marrjen e vendimit përfundimtar etj. Në këto rrethana, ndonëse në përfundim të gjykimit, Prokuroria ka kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin e të pandehurit Suel Çela, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur deklarimin e pafajshëm të tij.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›