E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia Ushtarake Shqiptare përgatitet për misionet speciale të NATO-s



Efektivat e Policisë Ushtarake pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare, janë të aftë tani për të kryer veprime operacionale sipas standardeve NATO edhe jashtë vendit. Kjo është bërë e mundur falë një bashkëpunimi trajnues për efektivat e Policisë ushtarake midis Batalionit të Policisë Ushtarake shqiptare në Tiranë dhe Delegacionit Italian të Ekspertëve. Kursi përgatitor për instruktorë “Module të Policisë Ushtarake për t’u angazhuar jashtë shtetit”, i cili kishte filluar më 9 qershor 2008 u mbyll dje pas një trajnimi të gjatë të efektivave shqiptar të Batalionit të Policisë Ushtarake shqiptare në Tiranë. Në kursin, organizuar nga Delegacioni Italian i Ekspertëve në Shqipëri, mbajtur nga një Kapiten dhe nga një nënoficer i Qendrës Stërvitore të Brigadës II të lëvizshme të Karabinierëve të Livorno-s, morën pjesë 24 persona, efektiv të Policisë Ushtarake, ndër të cilët oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë. Në aktivitetet praktike, iu kushtua vëmendje e veçantë teknikave të shfrytëzimit taktik të terrenit me lëvizje individuale, dyshe dhe në skuadër, teknikave të patrullimit në qendrat e banuara në këmbë dhe mbi automjete, krijimin dhe ndërtimin e një pike kontrolli (check point) në operacionet jashtë shtetit, në shoqërimin e autokolonave ushtarake ose humanitare, shërbimeve të mbrojtjes së personaliteteve si në këmbë ashtu edhe në bordin e automjeteve, teknikave të futjeve me forcë dhe të krehjes së ndërtesave dhe stërvitjes në mënyrë të pavarur, kanë trajtuar të gjitha aspektet e punës së vështirë dhe të shumëllojtë që kryen Policia Ushtarake. Instruktorët, me një shkallë të lartë specializimi, kanë formuar në të kaluarën reparte të Policisë hungareze, afgane, irakene të shtetit të Katarit dhe të vendeve të ndryshme të Afrikës. Objektivi i fiksuar nga NATO për arritjen e kapaciteteve të “combact support” është padyshim shumë afër. Në mbyllje të kursit, nëpërmjet një demonstrimi praktik në terren të kapaciteteve të arritura nga toga është bërë dhe dorëzimi i certifikatave të aftësimit, nga Kryetari i Delegacionit Italian të Ekspertëve në Shqipëri Gjeneral Brigate, Aldo Piçotti.

12 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›